Shkon në 423 numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar 36 raste të reja të prekura me koronavirusin e ri.
"Rastet pozitive janë raste kontakti, nëntë (9) raste nga komuna e Ferizajit (sipas vendbanimit: katër (4) raste Ferizaj, katër (4) raste Talinovc dhe një (1) rast Mirash), tetë (8) raste nga komuna e Kamenicës (sipas vendbanimit: katër (4) raste Topanicë, katër (4) raste Hodonovc), pesë (5) raste nga komuna e Prizrenit (sipas vendbanimit: katër (4) raste Prizren dhe një(1) rast Skorobishte), tre (3) raste me vendbanim në Gjakovë, dy (2) raste me vendbanim në Prishtinë, dy (2) raste me vendbanim në Mitrovicë e veriut dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Suharekë, Lipjan, Ramjan-Viti, Banjë-Malishevë, Studenicë-Istog, Lëbushë-Deçan dhe Zveçan", është thënë në njoftim.
Duke marrë parasysh shifrat e reja Kosova ka 423 raste të konfirmuara me koronavirus; 9 pacientë kanë vdekur, ndërsa 74 janë shëruar.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve jo më vonë se data 30 prill.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i ka arsyetuar masat e qeverisë që ai drejton, duke i konsideruar ato si mjaft të vështira, por të domosdoshme për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Situata “po stabilizohet” në Nju Jork
Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo ka thënë se ndonëse ky shtet ende është duke u përballur me virusin, banorët kanë treguar “se mund ta ndryshojnë lakoren”.
Numri total i pacientëve të shtrirë dhe vdekjeve është duke rënë.
Një ditë më parë është raportuar për 752 viktima si pasojë e sëmundjes, Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Cuomo ka treguar se si do të duket rihapja e Nju Jorkut.
“Do të ketë rritje të ngadalshme të aktivitetit ekonomik në përputhje me standardet për shëndetin publik”, ka thënë ai.
Ai ka bërë thirrje sërish për strategji kombëtare.
Cuomo po ashtu ka bërë të ditur një urdhër ekzekutiv që detyron banorët të mbulojnë gojën dhe hundën në vendet ku është e pamundshme mbajtja e distancës fizike, sikurse në mjetet e transportit.
Deri më tani në Shtetet e Bashkuara është raportuar për 614,482 persona të prekur dhe 27,085 të vdekur si pasojë e koronavirusit të ri.
Nju Jorku mbetet epiqendra e përhapjes së këtij virusi në SHBA.
Pacientja “më e vjetër” me koronavirus lirohet nga spitali
Një gjyshe 106-vjeçare, që besohet se ka qenë pacientja më e vjetër në Britani të Madhe, e prekur me koronavirus, është shëruar nga sëmundja dhe është liruar nga spitali.
Connie Titchen është duartrokitur nga stafi pasi ka lënë spitalin një qytetin e Birmingemit pas tre javëve.
Ajo ishte shtruar në spital në mesin e muajit mars, pas dyshimeve se ka pneumoni.
Pacientja ka thënë: “Unë jam shumë shumë me fat që kam luftuar këtë virus”.
Në një deklaratë të lëshuar nga spitali, Titchen ka thënë se “mezi ka pritur” të shohë familjen e saj.
Ajo besohet se është pacientja më e vjetër, e cila është shëruar nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Deri më tani në Britaninë e Madhe janë konfirmuar 99,455 raste të prekura me koronavirusin e ri, ndërkohë që janë regjistruar 12,892 si pasojë e përhapjes së tij.
Disiplina shuan vatrën e epidemisë në Mal të Zi
Tuzi ka dalë të martën nga izolimi pas tri javësh. Komuna më e rrezikuar në Mal të Zi ka arritur të frenojë përhapjen e koronavirusit me masa të rrepta të karantinës dhe ndalim absolut të lëvizjes.