Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
20:21 15.4.2020

Në kohën e pandemisë rriten krimet kibernetike

Masat e vendosura për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, kanë ndikuar në uljen e numrit të vjedhjeve klasike, thonë zyrtarët e Policisë së Maqedonisë së Veriut.

Në muajt e fundit, nëse të dhënat krahasohen me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, del se numri i vjedhjeve është ulur për trefish. Në këtë ulje të rasteve të krimeve ka kontribuar edhe ora policore, masë kjo që u vendos pas përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Megjithatë, ekspertët e teknologjisë informative, thonë se masat e izolimit të ndërmarra nga autoritetet, kanë bërë që të rriten mashtrimet në internet dhe në përgjithësi krimet kibernetike.

Udhëzimet e tyre i kuptoni duke klikuar këtu.

19:52 15.4.2020

Osmani procedon projektligj për luftimin e pandemisë Covid-19

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka proceduar nismën legjislative rreth Projektligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Kosovë.

Në një komunikatë për media të Kuvendit të Kosovës është thënë se nisma është iniciuar si rrjedhojë e kërkesave nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili specifikon rolin e Kuvendit në ndërmarrjen e masave të duhura për t’u siguruar ‘që kufizimet e nevojshme të të drejtave dhe lirive themelore me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, janë bërë në pajtueshmëri me Kushtetutën’.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që vendimi i 23 marsit 2020 i Qeverisë tashmë në detyrë të Kosovës, për të kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, nuk është në përputhje me Kushtetutën, dhe të njëjtin e ka shpallur të pavlefshëm.

Gjykata ka konstatuar se kufizimi i të drejtave të njeriut mund të bëhet vetëm me ligj të Kuvendit të Kosovës.

Të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

“Sipas vendimeve, lejohet qarkullimi i nënshtetasve mbi moshën 16 vjeç, vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë, sipas orarit të përcaktuar javor në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal. Ndërsa, për shtetasit e huaj, i njëjti vendim vlen me numrin e fundit të pasaportës”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Po ashtu në vendime shpjegohen edhe mundësitë e lëvizjes në lidhje me të sëmurët, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës familjare dhe rastet e vdekjeve.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve jo më vonë se data 30 prill.

Kosova aktualisht ka 387 raste të konfirmuara me koronavirus; 9 pacientë kanë vdekur, ndërsa 69 janë shëruar.​

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

19:29 15.4.2020

Policia arreston një person për prodhim të barnave të dëmshme

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshur për përfshirje në veprën penale ‘prodhim dhe shpërndarje e produkteve të dëmshme mjekësore’

“I dyshuari me inicialet K.A. ka publikuar në rrjetin social, Facebook një shkrim ku kërkon vullnetar që janë prekur nga virusi COVID 19, e të cilët dëshirojnë të përdorin një bari ‘me bazë bimore’, të cilin e prodhon vetë ai, pa pasur licencë për prodhim të një ilaçi të tillë.”, është thënë në njoftim.

Policia ka bërë po ashtu të ditur se në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik dhe Inspektorët Shëndetësorë kanë kryer një kontrollë në shtëpinë e të dyshuarit dhe kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi alkooli dhe mostra të barit.

I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

19:04 15.4.2020

Raportuesja për Kosovën në PE reagon rreth kufizimit të lëvizjes

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon-Taubadel ka thënë se rregullat për kufizim të lëvizjes në Kosovë duhet jenë në përputhje me rregullat kushtetuese.

“Rregullat që krijojnë më shumë huti dhe nuk mund të zbatohen krijojnë më shumë dëm. Shtetet tjera kanë kufizuar kohën e qëndrimit jashtë, mirëpo jo edhe orën kur dikush mund të dalë. Qeveria duhet të shqyrtojë bazën kushtetuese”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

“Sipas vendimeve, lejohet qarkullimi i nënshtetasve mbi moshën 16 vjeç, vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë, sipas orarit të përcaktuar javor në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal. Ndërsa, për shtetasit e huaj, i njëjti vendim vlen me numrin e fundit të pasaportës”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Po ashtu në vendime shpjegohen edhe mundësitë e lëvizjes në lidhje me të sëmurët, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës familjare dhe rastet e vdekjeve.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve jo më vonë se data 30 prill.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i ka arsyetuar masat e qeverisë që ai drejton, duke i konsideruar ato si mjaft të vështira, por të domosdoshme për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Opozita, ndërkaq, i ka cilësuar masat e fundit të qeverisë si jokushtetuese dhe përpjekje për të mbijetuar në pushtet.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG