Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
10:09 16.4.2020

Të gjashtë qytetet indiane shpallen qendra të përhapjes së koronavirusit

Të gjashtë qytetet, duke përfshirë kryeqytetin Nju Delhi dhe kryeqytetin financiar, Mumbai, janë shpallur “zona të kuqe” për përhapje të koronavirusit.

Në udhëzimet e publikuara të mërkurën vonë, qeveria ka ndarë shtetin me bazë të ngjyrave, për të qartësuar rrezikun dhe shkallën e infektimit.

Zonat e kuqe nënkuptojnë territoret e përhapjes së virusit, ngjyra portokalli është vetëm për disa zona të infektimit, derisa ngjyra e gjelbër tregon për territore që nuk kanë të infektuar.

Në total, i bie që 170 distrike janë shpallur zona të kuqe në këtë shtet.

09:44 16.4.2020

Profesori i epidemiologjisë gjenetike: Suedia nuk i ka mbrojtur mjaftueshëm të cenueshmit

"Niveli në të cilin Suedia ka mbrojtur më të cenuarit është i diskutueshëm, pasi ne e dimë se koronavirusi është i pranishëm në spitale dhe shtëpi pleqsh, gjë që çon në përfundimin se strategjia nuk e ka mbrojtur sa duhet popullatën më të cenueshme nga virusi”. Kështu e komenton strategjinë e Suedisë në luftë kundër pandemisë Paul Franks, profesor i epidemiologjisë gjenetike në Universitetin Lund të Suedisë dhe zëvendësdrejtor në Qendrën e Diabetit në këtë univesitet.

Sipas informatave të fundit, në Suedi janë të infektuar më shumë se 11,900 njerëz, ndërkaq si pasojë e sëmundjes COVID-19 kanë vdekur më shumë se 1,200 persona.

Megjithatë, Suedia ka një ndër qasjet më të buta për të luftuar një pandemi, nga e cila më shumë se 128,000 njerëz kanë vdekur në të gjithë botën.

Njerëzit këshillohen që të punojnë nga shtëpia nëse munden, të shmangin udhëtimet nëse nuk është e nevojshme, shkollat janë të hapura dhe ndër të vetmet masa është ndalimi për tubimin e më shumë se 50 personave si dhe vizitat e shtëpive të pleqve.

Por, sipas profesorit Franks, virusi është përhapur në spitale dhe në shtëpi për persona të moshuar, prandaj siç thotë ai, nuk mund të thuhet se bëhet fjalë për strategji të suksesshme.

Intervistën e tij e gjeni në këtu.

09:17 16.4.2020

Në Klikën Infektive po trajtohen 63 pacientë me koronavirus

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë duke u trajtuar 63 pacientë të prekur nga koronavirusi.

Prej tyre, 50 raste janë në gjendje stabile, 10 raste janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Në mjekimin intensiv, në gjendje kritike janë katër pacientë, prej të cilëve njeri është në oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive si dhe tre pacientë janë në ventilim mekanik.

Deri më tani Kosova ka 423 raste të konfirmuara me koronavirus; 9 pacientë kanë vdekur, ndërsa 74 janë shëruar.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.​

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve jo më vonë se data 30 prill.

07:55 16.4.2020

Koronavirusi "ka kaluar pikun" në SHBA

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë “kaluar pikun” e rasteve të reja me koronavirusin e ri dhe se parashihet që disa shtete të rihapen këtë muaj.

Në një konferencë për media nga Shtëpinë e Bardhë, Trump ka thënë se udhëzimet për rihapje do të bëhen të ditura të enjten, pasi të flasë me guvernatorët.

“Ne do të jemi tejkaluesit, të gjithë ne”, ka thënë presidenti.

“Ne duam t’i kthehemi shtetit tonë sërish”.

Deri më tani, SHBA-ja ka raportuar për 640,000 raste të konfirmuara dhe 30,800 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

“Të dhënat tregojnë se në nivel kombëtar, ne kemi kaluar pikun e rasteve të reja. Shpresojmë se kjo do të vazhdojë dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë përparim”, ka shtuar mes tjerash ai.

I pyetur pse Shtetet e Bashkuara kanë një numër kaq të madh të shkallës së vdekjeve, Trump ka akuzuar shtetet tjera, duke thënë se po gënjejnë për shifrat e vërteta të vdekshmërisë.

“Vërtet dikush iu beson shifrave të disa vendeve?”, ka thënë ai duke përmendur Kinën.

Ai ka thënë se është duke analizuar raporte të paverifikuara që tregojnë se koronavirusi ka dalë nga një laborator në Vuhan dhe jo nga tregjet e kafshëve.

Mediat amerikane kanë raportuar se ambasada amerikane në Pekin ka ngritur shqetësime për sigurinë e dy laboratoreve në Vuhan.

Megjithatë, Mark Milley, udhëheqës i Shefit të Stafit, ka thënë se shërbimet e inteligjencës amerikane besojnë se virusi mund të jetë zhvilluar në mënyrë të natyrshme.

Deri më tani nga koronavirusi i ri janë infektuar më shumë se 2 milionë persona.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG