Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
13:34 16.4.2020

Infektologu Ahmeti: Aktualisht situata me koronavirus është e menaxhueshme

Pavarësisht rritjes së numrit të personave të infektuar me koronavirus, infektologu Salih Ahmeti thotë se këto shifra janë të përballueshme për sistemin shëndetësor të Kosovës.

Ahmeti thotë se aktualisht situata është e menaxhueshme mirëpo mund të ndryshojë në rast shitimit të rasteve.

“Natyrisht se numri i rasteve është shtuar pak. Ne jemi pak më të stërngarkuar por nuk është e papërballueshme kjo”, tha Ahmeti në një konferencë për media në Prishtinë.

Gjatë raportimit për gjendjen e pacientëve që janë të shtruar në Klinikën Infektive, Ahmeti, tha se gjendja e 49 pacientëve është e qëndrueshme, përveç 10 pacientëve që e kanë gjendjen më të rënduar.

Dy persona mbesin në gjendje kritike dhe janë në kujdes intensiv, tha mes tjerash ai.

Duke folur për gjendjen e pacientëve, infektologu tha se në gjendje të rëndë shëndetësore mbetet edhe një grua shtatzënë e moshës 40-vjeçare gjendja e së cilës po mbikëqyret në vazhdimësi.

Sipas tij tani për tani ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore për të menaxhuar me sukses situatën e shkaktuar nga shtimi i numrit të të prekurve nga koronavirusi.

Deri më tani Kosova ka 423 raste të konfirmuara me koronavirus; 10 pacientë kanë vdekur, ndërsa 74 janë shëruar.

12:49 16.4.2020

Shkon në 10 numri i të vdekurve nga koronavirusi në Kosovë

Një grua 73-vjeçare nga Peja ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Ajo ishte diagnostikuar me koronavirus dhe ishte duke u trajtuar nga data 25 mars në këtë Klinikë.

Ministria e Shëndetësisë njofton se M.B, krahas koronavirusit ka pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

“Klinika Infektive njofton se pacientja M.B. e lindur më 1947, nga komuna e Pejës, e cila ishte e hospitalizuar në Klinikën Infektive në Departamentin e Mjekimit Infektiv, e diagnostikuar me Covid-19 dhe e cila është trajtuar nga data 25 mars deri më 16 prill 2020, ka ndërruar sot jetë në këtë klinikë”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Deri më tani Kosova ka 423 raste të konfirmuara me koronavirus; 10 pacientë kanë vdekur, ndërsa 74 janë shëruar.

QKUK, njoftoi mëngjesin e sotëm se në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 63 pacientë të prekur nga koronavirusi.

Prej tyre, 50 raste janë në gjendje stabile, 10 raste ishin në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.​

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve jo më vonë se data 30 prill.

12:41 16.4.2020

Kurti fton qytetarët të raportojnë dhunën në familje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për raportimin e rasteve të dhunës në familje.

Kurti tha se rritja e numrit të rasteve të dhunës në familje ka bërë që të rritet edhe reagimi i institucioneve në kohën e pandemisë së koronavirusit.

“Dhuna asnjëherë nuk ka arsyetim. Për ne është e papranueshme dhe e dënueshme. Qeveria jonë e ka rritur buxhetin e strehimoreve për të mbijetuarat e dhunës në vlerën prej 900 mijë eurosh. Qeveria është duke i shikuar format për shtimin e numrit të programeve kundër dhunës në familje, çfarëdo forme që merr ajo: fizike, psikike apo seksuale”, tha Kurti në një videomesazh.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbështeten te njëri-tjetri.

Rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje e ka kofirumuar edhe Policia e Kosovës.

Sipas të dhënave të Policisë, në muajin mars kishte rritje të rasteve kur qytetarët kanë raportuar ushtrimin e dhunës ndaj tyre me gjithsej 169 raste të raportuara.

12:16 16.4.2020

BE-ja i ofron “kërkim-falje të thellë” Italisë

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka ofruar “kërkim-falje të thellë” për lënien e Italisë vetëm gjatë luftimit të koronavirusit.

“Po, është e vërtetë se asnjëri nuk ka qenë i përgatitur për këtë”, ka thënë ajo para Parlamentit Evropian të enjten.

“Është po ashtu e vërtetë se shumë prej nesh nuk kemi qenë afër Italisë për t’i zgjatur dorën krejt në fillim. Pra po, për këtë duhet që Evropa si tërësi të ofrojë kërkim-falje të thellë”.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në Itali kanë vdekur më shumë se 21,000 persona, njëherësh më së shumti në gjithë Evropën.

Në kohën kur Italia ka luftuar shpërthimin e virusit në fillim të muajit mars, Franca dhe Gjermania patën vënë kufizime në eksportin e maskave për fytyrë - pavarësisht paralajmërimeve nga Komisioni Evropian se veprime të tilla mund të dëmtojnë përgjigjjen kolektive ndaj sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG