Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
12:01 16.4.2020

Ministria e Drejtësisë bën thirrje kundër dhunës në familje

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një videomesazhi ka njoftuar se për shkak të qëndrimit në shtëpi si pasojë e përhapjes së koronavirusit janë rritur edhe shifrat e dhunës në familje.

Ministrja Haxhiu ka thënë se autoritetet kanë ndërmarrë masa emergjente duke bërë që strehimoret të jenë të përgatitura për reagim si dhe janë vendosur në dispozicion tre numra të veçantë telefoni që pranojnë thirrje 24 orë në ditë.

“Qëndrimi në shtëpi, rritja e stresit dhe pasiguria, ka shënuar rritje të rasteve të raportuara të dhunës në familje kudo në botë, por edhe në Kosovë. Të jesh e mbyllur me abuzuesin është më keq se burg, sepse ata mund të përfitojnë nga situata e krijuar për të mos i lejuar partnerët të dalin jashtë dhe të kërkojnë ndihmë”, është shprehur ajo.

Krahasuar me muajt e kaluar, në muajin mars në Kosovë janë shtuar rastet e dhunës në familje.

Rritjen e shifrave e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Sipas të dhënave të Policisë, në muajin mars ka një rritje të vogël të rasteve kur qytetarët kanë raportuar ushtrimin e dhunës ndaj tyre, gjithsej 169 raste.

Policia përmes një apeli drejtuar qytetarëve u bëri thirrje të gjithë personave që janë viktima të dhunës t’i lajmërojnë rastet në polici.

Përveç Kosovës, në shumë vende të tjera të botës është raportuar për rritje të rasteve të dhunës në familje për shkak të qëndrimit në shtëpi në kuadër të masave parandaluese kundër pandemisë së koronavirusit.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.​

Deri më tani Kosova ka 423 raste të konfirmuara me koronavirus; 9 pacientë kanë vdekur, ndërsa 74 janë shëruar.

11:26 16.4.2020

Veterani britanik mbledh 12 milionë funta për punëtorët shëndetësorë

Veterani britanik 99-vjeçar i Luftës së Dytë Botërore, Tom Moore ka mbledhur më shumë se 12 milionë funta për punëtorët shëndetësorë që po luftojnë koronavirusin, përmes ecjeve në kopshtin e tij.

Kapiteni ushtarak i pensionuar ka përfunduar 100 xhiro në kopshtin e tij 25 metra me ndihmën e protezës për ditëlindjen e tij të 100-të në fund të muajt.

“Unë kurrë nuk kam ëndërruar se do të përfshihem në një ngjarje si kjo”, ka thënë ai kur ka përfunduar ecjen.

Ai kishte planifikuar fillimisht të krijonte një fond prej 1,250 funtave për bamirësi.

Mirëpo më vonë, 600,000 persona kanë kontribuuar në fond, çfarë ka ndikuar në bllokim të faqes së donacioneve, për shkak të trafikut të madh.

“Në luftërat e kaluara, unë kam qenë ushtar me uniformë në vijën e parë të frontit. Këtë herë ushtria jonë janë mjekët dhe infermierët në uniformë”, ka thënë ai për një medium britanik.

“Ne do ta tejkalojmë këtë”.

Moore ka shërbyer në Indi, Mianmar dhe Indonezi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kapiteni Tom Moore.
Kapiteni Tom Moore.

11:01 16.4.2020

Zvogëlimi i qarkullimit të automjeteve përmirëson cilësinë e ajrit

Masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, sidomos reduktimi i lëvizjes së automjeteve, kanë ndikuar që në Kosovë të përmirësohet cilësia e ajrit deri në 50%, thonë zyrtarët.

Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, Ilir Morina, thotë për Radion Evropa e Lirë se matja e cilësisë së ajrit bëhet në 12 stacione dhe se në të gjitha prej tyre ka rënie të dyoksidit të azotit, që është produkt i djegies së karburanteve nga automjetet.

“Transporti është një ndër ndotësit më të mëdhenj. Numri [i makinave] sillet rreth 400 mijë, duke mos numëruar makinerinë e rëndë, [pastaj] industrinë private, minierat e të tjera. Nëse krahasohet muaji mars i vitit të kaluar me periudhën e njëjtë të këtij viti, vërehet një përmirësim i dukshëm, deri në 50 për qind. Edhe pse janë burim i dytë i ndotjes, pas energjisë, automjetet kanë ndikuar shumë në zvogëlimin e ndotjes”, thotë Morina.

Por, cilat janë mundësitë tjera që do të ndikonin në ulje të ndotjes në periudhë afatgjatë?

Hollësitë i kuptoni këtu

10:31 16.4.2020

Hungaria do të dëbojë 14 iranianë që shkelën rregullat e karantinës

Hungaria ka thënë se do të dëbojë 14 studentë iranianë më 16 prill, për shkak të shkeljes së rregullave të karantinës, pas përhapjes së koronavirusit.

Iranianët kanë pasur “sjellje anti-shoqërore”, teksa ka qenë në karantinë në një spital në Budapest muajin e kaluar, ka thënë togeri policer, Robert Kiss.

Më 16 prill pritet të dëbohen 11 studentë, ndërsa të tjerët më 23 prill.

Dëbimet vijnë pas ankesave të bëra nga Ministria hungareze e Shëndetësisë, e cila ka akuzuar studentët se kanë dalë nga dhomat e spitalit pa leje dhe pa pajisje mbrojtëse.

Ata kanë refuzuar të kthehen nëpër dhoma dhe kanë pasur qasje agresive ndaj stafit mjekësor, ka thënë ministria.

Komitetit hungarez i Helsinkit, grup për të drejta të njeriut që përfaqëson njërin prej studentëve, i ka cilësuar akuzat e Budapestit “absurde”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Mousavi, ka thënë për mediat javën e kaluar se vendimi për dëbime “është tejet fatkeq”.

Hungaria, vend me popullsi gati 10 milionë banorë, ka regjistruar pothuajse 1,600 të infektuar dhe 134 të vdekur si pasojë e sëmundjes, Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG