Katër punonjës të ministrisë së Brendshme serbe kanë vdekur nga koronavirusi
Katër punonjës të ministrisë së Brendshme të Serbisë kanë vdekur si pasojë e sëmundjes COVID-19, tha ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq.
Ai i tha Radio Beogradit se 180 zyrtarë të ministrisë së Brendshme janë infektuar me koronavirus, dhe se të gjithë janë në gjendje stabile.
Serbia gjendet në javën e gjashtë të shpërthimit të epidemisë së koronavirusit të ri dhe sipas të dhënave zyrtare, në këtë vend janë të konfirmuar 4,873 raste të të infektuarve.
Deri më tani, 99 persona kanë vdekur.
Kosovës i duhen më shumë teste për koronavirusin
Kosova aktualisht ka gjithsej 600 teste dhe pret këto ditë arritjen e 2,000 të tjerave për konfirmimin e rasteve me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19. Këto të dhëna janë konfirmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë.
Që nga data 8 shkurt e këtij viti, e deri më 15 prill, në laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin e Shëndetit Publik të Kosovës janë testuar 3,720 mostra të dyshimta me virusin dhe janë vëzhguar rreth 5,000 raste të kontakteve që mund të kenë pasur rastet e konfirmuara.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.
Dyshime për mbajtjen e Oktoberfestit këtë vit
Oktoberfesti është një prej ngjarjeve më të famshme në traditën gjermane – një festival i birrës që merr vëmendjen e shumë turistëve nga e gjithë bota.
Ndonëse muaji tetor duket se është larg, kryetari i rajonit të Bavarisë ka thënë se festivali në fjalë mund të anulohet këtë vit.
“Unë dyshoj shumë dhe fare pak mund ta imagjinoj zhvillimin e ndonjë ngjarjeje me ato përmasa”, ka thënë Markus Söder para gazetarëve.
Paralajmërimi tij ka ardhur pasi Gjermania ka regjistruar të enjten 2,900 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri dhe 315 vdekje tjera në 24 orët e fundit.
Në gjithë Gjermaninë aktualisht janë regjistruar më shumë se 130,000 raste të të prekurve me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, ndonëse më shumë se gjysma e tyre tashmë janë shëruar.
Kryetari i Kumanovës infektohet me koronavirus
Kryetar i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski është infektuar me koronavirus ndërsa një ditë më parë priti në takim një delegacion të qeverisë të kryesuar nga kryeministri, Oliver Spasovski. Në këtë mbledhje është diskutuar për gjendjen në Kumanovë dhe kërkesën e kryetarit të komunës për vendosjen e qytetit në karantinë shtetërore për shkak të numrit të madh të të infektuarve.
Pas Shkupit, Kumanova është qyteti me numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus, 276.
Njoftimin se është prekur nga sëmundja, COVID 19, që shkakton koronavirusi e bëri vetë Dimitrevski në një postim në rrjetin social Facebook duke u bërë thirrje banorëve të Kumanovës që të jenë të kujdesshëm.
“Ju lutem që të jemi të përmbajtur, nuk ka vend për panik, kërkoj nga ju disiplinë, respektim të masave dhe rekomandimeve për distancë sociale. Ju lutem nga shpirti dhe zemra, ju lutem respektoni masat, shmangni kontaktet e afërta, shëndeti është mbi të gjitha, kështu do të fitojmë të gjithë”, ka shkruar Dimitrievski.
Infektimi tij ndërkohë ka alarmuar edhe qeverinë. Kryeministri Oliver Spasovski, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce, Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani nuk kanë shkuar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku vendoset për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut, edhe për 30 ditë ashtu siç ka kërkuar qeveria.
Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani ka njoftuar se nga dita e enjte është futur në vetizolim.
Lajmin e plotë e gjeni këtu