Kryesia e Kuvendit dështon t’i çojë përpara projektligjet lidhur me pandeminë
Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ka gjetur konsensus për të çuar përpara asnjë nga tri nismat legjislative që lidhen me luftimin e koronavirusit.
Një nga propozimet ka qenë Projektligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë “COVID-19” i propozuar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Gjermanët kanë të drejtë të protestojnë gjatë kohës së pandemisë, vendosi Gjykata Kushtetuese
Gjermanët kanë të drejtë të zhvillojnë protesta politike, nëse zbatojnë rregulla t e distancës fizike në mënyrë që të pengojnë përhapjen e koronavirusit, vendosi të enjten, Gjykata Kushtetuese e vendit.
Çështja ishte dërguar në Gjykatë nga disa aktivistë të rinjë, pasi autoritetet në qytetin perëndimor të Giessen, ndaluan një protestë të planifikuar për këtë javë.
Përmes saj do të kundërshtohej rregulla e vendosur për të ndaluar tubimet e më shumë se dy personave në publik.
Aktivistët pro-demokracisë në Giesen, në shtetin e Hese, thonë se masat e bllokimit shkelin lirinë e tubimit, një parim kryesor i kushtetutës gjermane.
Ata e çuan çështjen e tyre në Gjykatën Kushtetuese pasi dy gjykata lokale përkrahën vendimin e autoriteteve për të ndaluar demonstratat edhe pse organizatorët kishin premtuar se do të respektonin rregullat distancës gjatë marshimit.
Gjykata Kushtetuese tha se një ndalim i përgjithshëm i demonstratave do të ishte jokushtetues dhe i urdhëroi ata të rishikojnë vendimin e tyre.
Gjykata tha se shqetësimet shëndetësore të lidhura me pandeminë e koronavirusit nuk janë bazë për një ndalim të përgjithshëm të demonstratave.
Gjermania e ka mposhtur pandeminë më mirë sesa shumica e vendeve të tjera evropiane si Italia, Spanja dhe Franca, duke regjistruar pak më shumë se 3.600 vdekje nga 130.450 raste të konfirmuara.
Kryeministri maqedonas dhe tre ministra vetizolohen
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe i Arsimit, Arbër Ademi i janë nënshtruar vetizolimit shtëpiak, pas kontaktit që kanë pasur me kryetarin e Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski që ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
“Për momentin, në Qendrën lokale për Shëndet Publik në Kumanovë po bëhen vlerësimet epidemiologjike dhe kontaktet e kryetarit Dimitrievski. Gjatë ditës, do të përcaktohet se sa dhe cilët persona do të duhet të qëndrojnë në izolim 14-ditor… Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte e përgatitur për të gjitha skenarët, përfshirë një situatë të tillë. Puna e qeverisë vazhdon të zhvillohet pa probleme përmes mjeteve digjitale për komunikim. Edhe në kushte izolimi, vazhdon komunikimi i rregullt dhe koordinimi i të gjitha proceseve në vend dhe menaxhimi i krizës së koronavirusit”, thuhet në një komunikatë të qeverisë.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Ulësja e mesit në EasyJet do të jetë e zbrazët për të mundësuar distancën fizike
Linja ajrore që ofron fluturime me kosto të ulët EasyJet, planifikon që ulëset e mesit në aeroplanët e saj t'i mbajë bosh, për të mundësuar distancimin fizik mes pasagjerëve.
Shefi ekzekutiv, Johan Lundgren, shfaqi shpresën se kjo masë e kompanisë do të inkurajojë më shumë njerëz të fluturojnë me aeroplanët e saj.
Në fund të muajit mars, linja ajrore pezullli punën e gjithë flotës së saj.
Kompania është përballur me kritika nga klientët të cilët kanë pasur probleme të marrin rimbursime, pas anulimit të fluturimeve për shkak të pandemisë, raporton BBC.