Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
08:49 17.4.2020

Danimarka vazhdon daljen nga izolimi

Danimarka do të lejojë edhe disa biznese, të tilla si parukeritë, sallonet e bukurisë dhe auto-shkollat, të rihapen nga data 20 prill.

Ato dhe të tjera janë mbyllur tash e sa javë për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

“Askush nuk dëshiron ta mbajë Danimarkën të mbyllur më shumë seç është e nevojshme”, tha kryeministrja Mette Frederikse.

Vendimi vjen pasi disa vende të tjera evropiane, përfshirë Austrinë dhe Gjermaninë, kanë bërë publike masa të ngjashme për dalje nga izolimi.

Të mërkurën, Danimarka ka rihapur edhe çerdhet dhe shkollat fillore, pasi lakorja e të infektuarve me koronavirus në këtë vend është rrafshuar.

Megjithatë, kufijtë, restorantet dhe baret atje do të mbeten të mbyllura edhe për një kohë.

Danimarka ka rreth 7,000 të infektuar me koronavirus, ndërsa 321 pacientë atje kanë humbur jetën.

08:33 17.4.2020

Vendet e prekura më së keqi nga koronavirusi - nga dita në ditë:

Përhapja e koronavirusit nga dita në ditë
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:00:31 0:00

08:26 17.4.2020

Ekonomia e Kinës tkurret për herë të parë në disa dekada

Ekonomia e Kinës u tkurr në tremujorin e parë të këtij viti - për herë të parë në disa dekada - pasi koronavirusi ka detyruar biznese dhe fabrika të mbyllen.

Sipas të dhënave të publikuara të premten, ekonomia e dytë më e madhe në botë u tkurr për 6.8 për qind.

Qëkur Kina ka nisur t’i regjistrojë shifrat tremujore më 1992, kjo është hera e parë që ekonomia e saj bie në çerekun e parë të vitit.

"Tkurrja e bruto prodhimit të brendshëm në periudhën janar-mars do të përkthehet në humbje të përhershme të të ardhurave, në falimentime të kompanive të vogla dhe humbje të vendeve të punës", tha Yue Su nga Njësia e Inteligjencës Ekonomike në Kinë.

Vitin e kaluar, Kina ka pasur një rritje të shëndetshme ekonomike prej 6.4% në tremujorin e parë - periudhë kjo kur ka qenë e përfshirë në luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Kina ka regjistruar rastet e para me koronavirus në fund të vitit të kaluar dhe, për të frenuar përhapjen e sëmundjes, ka izoluar disa qytete me dhjetëra miliona banorë.

08:09 17.4.2020

Trump: Izolimi i zgjatur rrezikon shëndetin publik

Derisa koronavirusi vazhdon të përhapet në Shtetet e Bashkuara, presidenti Donald Trump u ka dhënë udhëzime guvernatorëve që të rihapin ekonomitë e shteteve të tyre në muajt e ardhshëm.

Plani “Rihapja e Amerikës” ka tri faza, gjatë të cilave shtetet mund t’i lehtësojnë gradualisht masat e izolimit.

"Amerika dëshiron të jetë e hapur dhe amerikanët dëshirojnë të jenë të hapur. Mbyllja kombëtare nuk është zgjidhje e qëndrueshme afatgjate", tha Trump në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë.

Ai shtoi se izolimi i zgjatur rrezikon të shkaktojë kosto serioze për shëndetin publik.

Trump paralajmëroi për "rritje të mprehtë" të abuzimit të drogës, abuzimit të alkoolit, sëmundjeve të zemrës dhe problemeve të tjera "fizike dhe mendore".

Ai tha se guvernatorët do ta menaxhojnë vetë procesin e rihapjes dhe se do të kenë ndihmën e qeverisë federale.

Shtetet e Bashkuara kanë mbi 654,000 të infektuar me koronavirus.

Mbi 32,100 pacientë atje kanë humbur jetën.

Trump tha se disa shtete të SHBA-së mund të rihapen këtë muaj.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG