Sulmet kibernetike shënjestrojnë dy spitale në Çeki
Dy spitale çeke kanë raportuar për sulme kibernetike një ditë pasi autoritetet kanë paralajmëruar për kërcënim rreth “një fushate me sulme të shumta” në teknologjinë informative dhe sistemet e komunikimit në “spitale dhe shënjestra tjera të mëdha”.
Një spital universitar në qytetin lindor Ostrava ka thënë më 17 prill se ka ndalur një sulm kibernetik gjatë natës në një nga serverët e tij, derisa spitali në Olomouc ka thënë se ka vërejtur aktivitet të dyshimtë.
Kryeministri çek, Andrej Babish ka thënë se qeveria e tij e ka marrë parasysh paralajmërimin dhe është duke “vëzhguar” kërcënimin.
Babish ka thënë se “fillimisht është zhvilluar një hetim për të parë se me çfarë mund të përballen sistemet” në këtë shtet.
Ai ka thënë se më vonë janë bërë të ditura raportimet për sulme nëpër spitale.
Agjencitë e inteligjencës dhe vëzhguesit e internetit në gjithë botën kanë ngritur shqetësime për rritje të mashtrimeve dhe sulmeve kibernetike nëpër spitale dhe shënjestra tjera, në kohën e pandemisë me koronavirus.
Sëmundja Covid-19 , që shkakton ky virus ka lënë të vdekur më shumë se 146,000 persona dhe ka infektuar 2.1 milionë banorë në gjithë botën.
Kjo situatë ka ndikur edhe në paralizim të ekonomisë në nivel global.
Guvernatori i Nju Jorkut: Shteteve u duhet ndihmë federale për testime
Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo ka thënë se Qeveria amerikane në Uashington duhet të bëjë më shumë për t’iu ndihmuar shteteve që të rrisin kapacitetet për testim.
“Mos u kërkoni shteteve që të marrin masa, që nuk kanë marrë asnjëherë më parë ndërkohë që nuk ndani fonde”, ka thënë ai para mediave.
Ai e ka cilësuar sistemin aktual “kaotik” pasi shtetet nuk kanë mundësi për të siguruar pajisjet për teste, të cilat shiten nga kompanitë në Kinë.
“Rrjeti i furnizimeve përbën sfidë ndërkombëtare”, ka thënë ai, duke shtuar se mantelët, maskat, ventilatorët dhe shumë pajisje tjera prodhohen në Kinë.
Një ditë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se guvernatorët shtetërorë kanë përgjegjësi për menaxhim të procesit të testimit, si dhe për të vlerësuar se kur do të rihapen qytetet.
Teksa Cuomo ka qenë në konferencë, Trump ka thënë përmes një postimi në rrjetin social: Guvernatori Cuomo duhet të kalojë më shumë kohë “duke bërë” dhe më pak duke “u ankuar”. Dilni jashtë dhe kryeni punën tuaj. Mos flisni!
Cuomo ka thënë se shkalla e vdekshmërisë është duke rënë në Nju Jork.
Megjithatë të enjten në këtë vend janë regjistruar 630 vdekje dhe 2,000 infektime të reja.
Britania formon task-forcë për krijim të vaksinës kundër koronavirusit
Sekretari britanik për Biznes, Alok Sharma ka përsëritur se masat e izolimit në Britani do të vazhdojnë për të paktën tri javë, me qëllim të mbrojtjes së Sistemit Kombëtar të Shëndetësisë.
Ai ka thënë se duhet parë rënie “të qëndrueshme” të infektimeve dhe numrit të viktimave, para se masat të ndryshojnë.
Sipas tij, Qeveria duhet të “sigurohet” se testimet janë nën kontroll.
“Gjëja më e keqe që mund të bëjmë tani është që të lirojmë masat herët dhe të lejojmë valën e dytë të virusit”, ka shtuar ai.
Ai po ashtu ka njoftuar për krijimin e një “task-force për vaksinë” të drejtuar nga qeveria, e cila do të punojë në zhvillimin dhe prodhimin e vaksinave në Britani, me qëllim të luftimit të koronavirusit.
Ai ka thënë se task-forca do t’i raportojë atij dhe Ministrit të Shëndetësisë, Matt Hancock.
Ky ekip do të drejtohet nga shkencëtari, Patrick Vallance dhe shefi mjekësor, Jonathan van Tam.
Ai ka thënë së qeveria “u ka dhënë dritën e gjelbër” 21 projekteve në vlerë të 14 milionë dollarëve për të punuar në këtë drejtim.
Sipas tij zyrtarët qeveritarë mund t’i shtojnë planit ekzistues edhe 250 milionë dollarë për të krijuar vaksinën.
Megjithatë Sharma ka rikujtuar se “vaksina është proces kompleks që mund të marrë shumë muaj”.
“Nuk ka garanci, mirëpo ne jemi duke mbështetur shkencetarët, dhe jemi duke i mbështetur shumë”.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Britania ka regjistruar 109,769 të infektuar dhe 14,607 të vdekur si pasojë e koronavirusit të ri.
Bislimi kërkon konsultime me ish-ministrat e Financave
Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Financave në Kosovë, Besnik Bislimi ka kërkuar takim konsultues me gjithë ish-ministrat e financave në Kosovë dhe me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti për të diskutuar pakon për rimëkëmbjen e ekonomisë, pas situatës së krijuar me koronvirus.
Në një postim në rrjetin social, Facebook, Bislimi ka thënë se është e rëndësishme që të gjithë ish-ministrat, si bartës të pozicionit të njëjtë publik, por në periudha të ndryshme kohore, të diskutojnë për fokusin primar të pakos për rimëkëmbjen e ekonomisë, kornizën monetare, organigramën implementuese dhe burimet e mundshme të financimit.
“Ne jemi të vetëdijshëm që sektorit privat por edhe amvisërive do i duhet një periudhë paksa më e gjatë kohore deri në rehabilitim të plotë dhe kthim në kapacitetet e shfrytëzuara në fillim të pandemisë, që nënkupton se rimëkëmbja e llojit ‘V’ mund të kërkojë një periudhë kohore përtej këtij viti kalendarik. Rrjedhimisht, si sektori privat, ashtu edhe tregu i punës do të kenë nevojë për stimulim shtesë fiskal e monetarë, masa këto që duhet të jenë të mire-përgatitura, mire-targetuara dhe mire-implementuara”, ka deklaruar ai.
Masat kufizuese që ka marrë Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës për kufizim të lëvizjes dhe izolim, me qëllim të luftimit të përhapjes së koronavirusit të ri, kanë dëmtuar bizneset dhe rrjedhimisht edhe ekonominë e Kosovës.