Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
18:25 17.4.2020

Suedia po e trajton koronavirusin “me seriozitet”

Udhëheqësi i Agjencisë suedeze për Shëndetin Publik, Johan Carlson ka mbrojtur qasjen e Suedisë ndaj pandemisë me koronavirus.

Në Suedi nuk ka izolim zyrtar, shkollat, restorantet dhe qendrat tregtare janë të hapura, qasje e cila e ka bërë këtë vend shënjestër për shumë kritika.

Megjithatë, në një konferencë për media, Carlson ka insistuar se shteti është duke e trajtuar virusin me seriozitet, duke përfshirë rekomandimet për distancim shoqëror dhe ndalim të grumbullimit të më shumë se 50 personave.

Ai po ashtu ka ngritur shqetësime për ndikimin e ashpërsimit të masave të izolimit në shëndetin mendor dhe atë fizik, si dhe për shkallën e dhunës familjare – duke thënë se nuk e ka parë të arsyeshme që njerëzve brenda t’iu kërkohet të dëgjojnë njoftimet në radio që të qëndrojnë brenda.

Shkencëtari ka thënë se strategjia e Suedisë është e menduar për periudhë afatgjate- ndoshta deri më 2022 nëse është nevoja – mirëpo ka shfaqur shpresën që secila ndalesë të hiqet para nisjes së pushimeve të verës, të cilat zakonisht nisin në fund të muajit qershor.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Suedia deri më tani ka regjistruar 13,216 të prekur dhe 1,400 viktima, si pasojë e koronavirusit të ri.

18:00 17.4.2020

Rreth 1,400 punëtorë “pa letra” aplikojnë për kompensim të pagave

Rreth 1,400 punëtorë që kanë punuar pa kontrata të punës në kompani të ndryshme private në Kosovë, kanë parashtruar kërkesa për regjistrim në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), në mënyrë që të përfitojnë nga një pako emergjente e Qeverisë së Kosovës.

Përmes kësaj pakoje, të miratuar për të luftuar pasojat ekonomike të pandemisë së koronavirusit, qeveria ka mundësuar që punëtorët “pa letra” të nënshkruajnë marrëveshje me punëdhënësin së paku një vit, në mënyrë që të përfitojnë nga 130 euro për muajt prill dhe maj.

Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë, Qeveria e Kosovës, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.6 milionë eurosh, e cila duhet të zbatohet nga ATK-ja.

Përfaqësues të punëtorëve dyshojnë se bizneset po e keqpërdorin këtë mundësi, pasi, sipas tyre, pronarët po nënshkruajnë kontrata me anëtarët e familjeve të tyre.

Klikoni këtu për ta kuptuar si po ndodh kjo.

17:32 17.4.2020

Presidenti amerikan Donald Trump ka ndalur së fundmi fondet për OBSH-në, pasi e ka akuzuar për keqmenaxhim.​

Kontribuesit më të mëdhenj të OBSH-së

Kontribuesit më të mëdhenj të OBSH-së
Kontribuesit më të mëdhenj të OBSH-së

17:00 17.4.2020

PDK-ja dorëzon në Kushtetuese vendimin për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Ismaili e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e fundit të Ministrisë në detyrë të Shëndetësisë për kufizim te lëvizjes së qytetarëve.

“PDK së bashku me disa deputetë të pavarur dhe deputetë të grupeve tjera parlamentare ka parashtruar sot këtë kërkesë. Çështja që kemi ngritur është çështje e përputhshmërisë së vendimeve të Ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe përputhshmërisë me Kushtetutën e Kosovës”.

“Ne pretendojmë që ka një shkelje të dy neneve kryesore të lirisë së lëvizjes, nenit 35 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 55, i cili përkufizon se këto vendime të kufizimit të lirisë së lëvizjes nuk i takojnë qeverisë”, ka deklaruar Ismaili.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

Në bazë të të dhënave të fundit, në Kosovë janë gjithsej 449 raste të të infektuarve me koronavirus, 12 raste të vdekjes dhe 79 të shëruar.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG