Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
09:11 18.4.2020

Trump thotë se masat kufizuese të disa shteteve janë "shumë të rënda"

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka arsyetuar postimet e tij në Twitter përmes të cilave kishte përkrahur protestat në disa shtete kundër masave të kufizimit të lëvizjes.

Në adresimin e tij të premten, ai tha se masat e vendosura nga Minesota, Miçigan dhe Virxhinia, janë mjaft të rënda.

Në një postim më herët në Twitter, Trump kishte shkruar: “Çlirojeni Minesotën, Çlirojeni Miçigenin dhe pastaj Çlirojeni Virxhinian”.

Autoritetet shëndetësore thonë se këto masa janë tejet të nevojshme për parandalimin e përhapjes më të madhe të koronavirusit. Por, protestuesit thonë se këto masa janë duke i bërë dëm qytetarëe dhe ekonomisë.

Shtetet e Bashkuara kanë pasur rritjen më të madhe të viktimave brenda një dite, të enjten, duke shënuar 4,591 vdekje në 24 orë.

SHBA-ja ka numrin më të madh të rasteve dhe viktimave në botë, rreth 700,000 raste të konfirmuara dhe më shumë se 36,000 viktima, sipas John Hopkins.

Shtetet për të cilat ngriti zërin Trump janë të udhëhequra nga demokratët. Ndërkaq, Ohio dhe Utah, të udhëhequra nga republikanët, që kanë të vendosura masat e njëjta, nuk u përmendën nga ai.

Protestat pritet të rriten edhe në shtete të tjera në SHBA. Mbështetja e presidentit vjen një ditë pasi administrata e tij prezantoi udhëzimet e reja për rihapjen e ekonomive shtetërore.

09:07 18.4.2020

Lufta e mjekëve me koronavirusin, përballë mosveprimit të qeverive

Asnjë cep i globit nuk është kursyer nga koronavirusi ngjitës – ose përpjekjet për ta ngadalësuar përhapjen e tij.

Taktika të ndryshme janë duke u përdorur – përfshirë izolimin, distancimin fizik dhe masa të tjera kufizuese. Megjithatë, edhe ato mund të minohen nga mungesa e furnizimeve dhe e transparencës.

Radio Evropa e Lirë u ka hedhur një vështrim sfidave me të cilat përballen punonjësit shëndetësorë dhe të tjerët, në trajtimin e pandemisë së koronavirusit.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.

23:08 17.4.2020

Autoritetet bëjnë ndryshime të Pakos Fiskale Emergjente

Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për Pakon Emergjente Fiskale, që përcakton saktësisht përfitimet dhe përfituesit e pakos në fjalë.

Përmes një komunikate për media, Qeveria në detyrë ka thënë se: Ndryshimet dhe plotësimet e aprovuara të këtij vendimi përcaktojnë se përfitues të shumës prej 30 euro janë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që marrin pagesë mujore me vlerë deri në njëqind euro; ndryshimi tjetër përcakton se përfitues të mbështetjes financiare do të jenë shoqëritë tregtare edhe punëdhënësit e tjerë.

Aty po ashtu bëhet e ditur se ndryshimet e vendimit përcaktojnë se përfitues të mbështetjes financiare janë stafi mjekësor dhe ai mbështetës (mjekët, infermierët dhe personeli tjetër i ekspozuar ndaj rrezikut).

Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës ka miratuar kohë më parë Pakon Emergjente Fisklae, në vlerë prej rreth 180 milionë eurove për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë të prekura pas përhapjes së koronavirusit.

Duke marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë është raportuar për 480 persona të infektuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Në mesin e tyre, 84 pacientë janë shëruar, ndërsa 12 persona kanë vdekur.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

22:08 17.4.2020

Kosovë: 31 raste të reja me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar për 31 raste të konfirmuara me koronavirusin e ri në 24 orë, si dhe për pesë të shëruar nga ky virus.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, pesëmbëdhjetë (15) raste nga komuna e Ferizajit (sipas vendbanimit: dhjetë (10) raste Ferizaj, tre (3) raste Mirash, një (1) rast Mirosal dhe një (1) rast Kosinë), nëntë (9) raste nga komuna e Vitisë ( sipas vendbanimit: tre (3) raste Viti, tre (3) raste Gushicë dhe tre (3) raste Pozharan), dy (2) raste me vendbanim në Prishtinë dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Miradi e epërme-Fushë Kosovë, Skenderaj, Vojnovc-Shtime, Sllatinë-Leposaviq dhe Zubin Potok”, është thënë në njoftim.

Duke marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë është raportuar për 480 persona të infektuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Në mesin e tyre, 84 pacientë janë shëruar, ndërsa 12 persona kanë vdekur.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG