Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
10:30 18.4.2020

Shërbeu me kafe qytetarët, arrestohet nga policia

Një person është arrestuar nga policia në Prishtinë, pasi ka shkelur vendimin e autoriteteve për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

Sipas policisë, ky person, e kishte hapur lokalin e tij dhe kishte shërbyer me kafe qytetarët.

"Nga njësiti policor i dyshuari mashkull kosovar, është hasur duke i shërbyer qytetarët me kafe dhe kishte hapur lokalin për të punuar duke mos e zbatuar kështu vendim për parandalim të përhapjes së pandemisë. I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt", thuhet në njoftimin e policisë.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve jo më vonë se data 30 prill.

10:20 18.4.2020

Gjermania raporton për 3,609 raste të reja me koronavirus

Në Gjermani, të shtunën, janë konfirmuar 3,609 raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri.

Numri i përgjithshëm i rasteve, në këtë vend, ka arritur në 137,439 njoftoi Instituti për Sëmundjet Infektive, Robert Koch.

Gjatë 24 orëve të fundit ka pasur 242 vdekje të reja, duke e rritur numrin e përgjithshëm të viktimave në 4,110.

Dje, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn ka thënë se shpërthimi i koronavirusit është nën kontroll, pas uljes së shkallës së infektimit.

Të dhënat e publikuara nga Agjencia gjermane për Kontrollin e Sëmundjeve tregojnë se shkalla e infektimit është ulur për 0.7, që nënkupton se një person i infektuar ka bartur sëmundjen në më pak se një person tjetër.

09:58 18.4.2020

Mbi 10 mijë të infektuar në Japoni

Numri i rasteve të infektuar me koronavirus në Japoni u rrit në 10,000 të shtunën, tha transmetuesi publik NHK.

Disa ditë më parë autoritetet shpallen gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

Kryeministri japonez, Shinzo Abe, të premten u bëri thirrje qytetarwve të qëndrojnë brenda.

Mbi 200 njerëz kanë vdekur nga virusi në Japoni, por Tokio mbetet zona me goditjen më të rëndë nga pandemia.

09:30 18.4.2020

FMN dhe BB zotohet për më shumë angazhim ndaj krizës së pandemisë

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore, janë zotuar të rritin përpjekjet e tyre për të qetësuar goditjen në ekonominë globale nga pandemia e koronavirusit.

Drejtorja e FMN-së, Kristalina Georgieva dhe presidenti i Bankës Botërore, David Malpass theksuan, se agjencitë e tyre janë të vetëdijshme për kërcënimin në rritje nga një krizë shëndetësore.

"Një tkurrje e madhe e ekonomisë globale në gjysmën e parë të vitit 2020 është e pashmangshme", tha Georgieva.

"Pasiguria rreth ashpërsisë dhe kohëzgjatjes së krizës është jashtëzakonisht e lartë", shtoi ajo.

FMN po parashikon që ekonomia globale do të tkurret me 3 përqind këtë vit, rënia më e keqe që nga Depresioni i Madh në vitet '30 dhe më e rëndë se kriza më e fundit financiare që filloi në vitin 2008.

Të dy institucionet gjatë dy muajve të fundit kanë paraqitur një numër programesh mbështetëse. FMN-ja ka shqyrtuar kërkesa për kredi urgjente nga pothuajse gjysma e 189 vendeve të saj anëtare.

FMN dhe Banka Botërore morën mbështetje këtë javë nga G20-ta, apo grupi i vendeve kryesore industriale, për një moratorium për shlyerjen e borxheve për vendet më të varfra në botë - si Afganistani, Etiopia dhe shumë vende afrikane.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara tha se moratoriumi i borxhit për vendet më të varfra ishte një fillim i mirë, por duhet bërë më shumë duke marrë parasysh ashpërsinë e krizës aktuale.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG