Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
12:46 18.4.2020

Më shumë se 1,000 të infektuar në Afrikë

Më shumë se 1,000 persona kanë vdekur në Afrikë nga COVID-19, thanë të shtunën Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve në Afrikë.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka tejkaluar shifrën 19,800.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka regjistruar një rritje prej 51 për qind të shkallës së të infektuarve në Afrikë dhe një rritje prej 60 për qind të vdekjeve.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi se megjithatë, për shkak të testimit të pamjaftueshëm, "numrat e vërtetë ka të ngjarë të jenë më të larta se ata që raportohen në publik".

Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë njoftuar se më shumë se një milion teste do të bëhen duke filluar nga java e ardhshme.

12:33 18.4.2020

Mjekja e shëruar nga koronavirusi: COVID-19 nuk është i lehtë për t’u tejkaluar

Valbona Tafilaj ka arritur që pas 30 ditësh qëndrimi në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare ta mposht koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Valbona është mjeke-psikiatër në Prishtinë dhe punon në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por, me virusin e ri është infektuar derisa ishte në Angli, ku kishte qenë në një udhëtim zyrtar më 9 mars. Në spital është shtrirë më 16.03.2020 dhe është liruar për në shtëpi më datë 15.04.2020.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.

12:15 18.4.2020

Pashkët Ortodokse në kohën e pandemisë

Kishat ortodokse në të gjithë Evropën Lindore dhe Rusi janë përgatitur të festojnë festën e Pashkëve më 19 prill, krahas kufizimeve për shkak të pandemisë.

Festa Pashkëve është data më e rëndësishme për 300 milionë të krishterët ortodoksë në botë.

Patriarku Bartholomew I, udhëheqësi shpirtëror i të krishterëve ortodoksë në botë, u ka kërkuar besimtarëve t'u përmbahen masave qeveritare dhe udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetit për të ngadalësuar përhapjen e pandemisë së koronavirusit.

11:35 18.4.2020

SHBA-ja e shqetësuar nga kërcënimi i sulmeve kibernetike kundër sektorit të shëndetësisë në Çeki​

Shtetet e Bashkuara janë shprehur të shqetësuara me njoftimin e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike dhe të Informacionit në Republikën e Çekisë, për një "kërcënim të sulmeve serioze në internet" ndaj sektorit të kujdesit shëndetësor.

"Ndërsa bota lufton me pandeminë COVID-19, aktiviteti keqbërës kibernetik, që dëmton aftësinë e spitaleve dhe sistemeve të kujdesit shëndetësor për të ofruar shërbime, mund të ketë rezultate vdekjeprurëse", thuhet në reagimin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Të premten, dy spitale çeke kanë raportuar për sulme kibernetike.

Një spital universitar në qytetin lindor Ostrava ka thënë më 17 prill se ka ndalur një sulm kibernetik gjatë natës në një nga serverët e tij, derisa spitali në Olomouc ka thënë se ka vërejtur aktivitet të dyshimtë.

Një ditë më parë, autoritetet kombëtare për sigurinë në internet shpallen një paralajmërim në lidhje me sulmet e mundshme në internet - në spitale dhe objektiva të tjerë të rëndësishëm - duke njoftuar një varg rekomandimesh gjithëpërfshirëse për pajisjet që mund të jenë në rrezik.

Në reagimin e Shteteve të Bashkuara, thuhet se "kushdo që angazhohet në veprime të tilla, duhet të presë edhe pasojat".

"Ne i bëjmë thirrje vepruesit në fjalë të përmbahet nga kryerja e aktivitetit shkatërrues keqbërës kundër sistemit të kujdesit shëndetësor të Republikës Çeke, ose infrastrukturës së ngjashme diku tjetër", thuhet në reagimin, ku iu bërë thirrje shteteve "që të mos mbyllin sytë" ndaj organizatave kriminale ose organizatat e tjera që kryejnë veprimtari të tilla nga territori i tyre.

"Shtetet e Bashkuara kanë zero tolerancë për aktivitetin e keqbërës në internet të krijuar për të minuar përpjekjet e SHBA-së dhe partnerëve ndërkombëtarë për të mbrojtur, ndihmuar dhe informuar publikun gjatë kësaj pandemie globale. Një veprimtari e tillë kundër infrastrukturës së rëndësishme civile është thellësisht e papërgjegjshme dhe e rrezikshme", thuhet në reagim.

Kryeministri çek, Andrej Babish ka thënë se qeveria e tij e ka marrë parasysh paralajmërimin dhe është duke “vëzhguar” kërcënimin.

Babish ka thënë se “fillimisht është zhvilluar një hetim për të parë se me çfarë mund të përballen sistemet” në këtë shtet.

Ai ka thënë se më vonë janë bërë të ditura raportimet për sulme nëpër spitale.

Agjencitë e inteligjencës dhe vëzhguesit e internetit në gjithë botën kanë ngritur shqetësime për rritje të mashtrimeve dhe sulmeve kibernetike nëpër spitale dhe shënjestra tjera, në kohën e pandemisë me koronavirus.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG