Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
14:21 18.4.2020

Mbi 20 mijë të vdekur në Spanjë

Numri i njerëzve që kanë vdekur nga koronavirusi në Spanjë ka kaluar shifrën 20,000, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 565 vdekje të reja.

Spanja është një nga vendet më të goditura nga pandemia, pas Shteteve të Bashkuara dhe Italisë.

Në këtë vend, janë konfirmuar si të infektuar rreth 190,839 njerëz.

13:58 18.4.2020

Rritet numri i vdekjeve në Zvicër

Zvicra ka njoftuar se numri i përgjithshëm i vdekjeve nga koronavirusi i ri ka arritur në 1,111.

Një ditë më parë, të premten, ky numër ishte 1,059.

Autoritetet njoftuan se numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 27,404.

Të dhënat janë bërë publike nga Agjencia e Shëndetit Publik të Zvicrës.

13:38 18.4.2020

Infektohen me koronavirus një pjesë e stafit të presidentit të Afganistanit

Burime qeveritare në Afganistan thonë se të paktën 20 zyrtarë që punojnë në pallatin e presidentit të Afganistanit, Ashraf Ghani, kanë dalë pozitiv në testin e COVID-19.

Kjo ka bërë që udhëheqësi 70-vjeçar të kufizojë pjesën më të madhe të kontaktit të tij me stafin dhe atë ta zhvillojë online.

"Një dokument i kontaminuar u dërgua në një zyrë brenda pallatit nga një departament tjetër qeveritar dhe kjo ishte mënyra se si u infektuan punonjësit", tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.

Sediq Sediqqi, zëdhënësi i presidentit, tha se Komisioni i Shërbimit Civil tashmë ka kërkuar nga punonjësit e qeverisë të qëndrojnë në shtëpi.

Deri më tani në Afganistan janë konfirmuar 933 raste të të infektuarve, ndërsa 30 njerëz kanë vdekur, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët shëndetësorë afganë thonë për shkak të testimeve të kufizuara, numri i rasteve ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë se sa raportohet .

Ministria e Shëndetësisë në Afganistan ka paralajmëruar se nëse nuk përmirësohen masat e kontrollit në të gjithë vendin, vendi po shkon drejt një katastrofe në të cilën miliona njerëz mund të infektohen.

13:15 18.4.2020

Shqipëria me 9 raste të reja të të infektuarve

Zëvëndëvësministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Mira Rakacolli ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar edhe 9 raste të të infektuarve me COVID-19.

"Kjo shifër tregon për një kontroll të mirë të epidemisë", tha ajo.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 548 raste.

Sipas autoriteteve shëndetësore deri më tani kanë vdekur 26 pacientë që kanë qenë të infektuar me koronavirusin e ri.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 19 pacientë duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 302.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG