Mbi 15,000 viktima nga koronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar
Autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar kanë regjistruar 888 viktima nga koronavirusi në 24 orët e fundit.
Kjo shifër e rrit në 15,464 numrin e përgjithshëm të pacientëve me koronavirus që kanë vdekur në spitalet e këtij vendi.
Në gjithë Mbretërinë e Bashkuar janë testuar në total mbi 357,000 njerëz dhe prej tyre 114,217 kanë dalë pozitivë me koronavirus.
I infektuar ka qenë edhe kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili pas disa ditësh trajtimi ka dalë nga spitali.
Johnson vazhdon të jetë nën mbikëqyrjen e mjekëve.
Spanja do ta përfundojë sezonin e futbollit pa tifozë në stadiume
Ndeshjet e futbollit dhe ngjarjet e tjera sportive në Spanjë do të zhvillohen në stadiume boshe, së paku deri në fund të verës, tha të shtunën kryetari i Madridit, Jose Luis Martinez-Almeida.
Spanja është një nga vendet më të goditura nga koronavirusi, ku numri i viktimave ka kaluar 20,000.
“Në pranverë dhe verë nuk do të ketë ndonjë ngjarje me turma në Spanjë. E, ndoshta, as në vjeshtë”, tha Martinez-Almedia për një radio lokale.
“Ne do të duhet ta ndryshojmë sjelljen edhe pasi të na lejohet të kthehemi në rrugë”, shtoi ai.
Liga e Spanjës në futboll nuk pritet të rifillojë të paktën deri në fund të majit.
"Ndeshjet e futbollit pa tifozë gjatë verës janë një mundësi, për aq kohë sa respektohen kushtet shëndetësore dhe të sigurisë", tha Martinez-Almeida.
Në Bosnje dhe Hercegovinë konfirmohen edhe 41 raste të reja
Nga 465 testime që janë bërë në Bosnje dhe Hercegovinë, gjatë 24 orëve të fundit, 41 kanë dalë pozitive, njoftuan autoritetet shëndetësore.
Sanjin Musa, shef i Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, tha se deri më tani në këtë vend janë të konfirmuar 722 raste më koronavirusin e ri.
Nga kjo shifër, 53,6 për qind janë gra dhe 46,4 për qind burra.
Musa tha se situata po monitorohet dhe analizohet nga afër, dhe se qëllimi është shtyrja e epidemisë, përkatësisht shtyrja e pikut të epidemisë, për të lejuar që sistemi shëndetësor të përgjigjet në mënyrë adekuate ndaj rasteve që zhvillojnë një formë më të rëndë të sëmundjes.
Mbretëresha Elizabeth anulon festimin tradicional të ditëlindjes për shkak të pandemisë
Mbretëresha britanike, Elizabeth II, nuk do të festojë ditëlindjen e saj të 94 me ceremoninë e zakonshme, si dhe ka kërkuar që të mos gjuhet me armë si shenjë simbolike, për shkak të përballjes me koronavirusin e ri në vend.
Britania ka shënuar rreth 14,000 viktima – vendi i pestë me numrin më të madh të vdekjeve nga pandemia, nga mbi 150,000 viktima në tërë botën.
Gjuajtjet ceremoniale me armë në disa pjesë të Londrës, zhvillohen për të shënuar përvjetore apo ditëlindje të familjes mbretërore.
Ditëlindja e mbretëreshës Elizabeta është më 21 prill.
Britania është në javën e katërt të izolimit, që ka detyruar bizneset të mbyllen dhe qytetarët të qëndrojnë në shtëpi.
Pallati Mbretëror, muajin e kaluar deklaroi se një paradë për festimin zyrtar të ditëlindjes së mbretëreshës, në qershor, nuk do të zhvillohet në formën tradicionale për shkak të masave për kufizim të lëvizjes.