Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
09:32 19.4.2020

“Është normale nëse nuk ndjeheni mirë” në kohë të pandemisë

“Kjo është një lloj situate që e shpërthen atë fluskën tuaj të mbrojtjes”, thotë Andreas Kappes, psikolog në Universitetin e Londrës, duke iu referuar gjendjes që ka krijuar pandemia e koronavirusit. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kappes thotë se kjo është një situatë që “na lejon të ndjehemi joproduktivë”, ndërsa atyre që reagojnë me “ankth të ekzagjeruar ndaj pasigurisë”, ai u sugjeron të kërkojnë ndihmë nga profesionistët shëndetësorë.​

Intervistën e plotë mund ta lexoni në këtë link.

09:10 19.4.2020

Rimëkëmbja e Evropës pas pandemisë

Evropës do t'i duhen të paktën 500 miliardë euro nga institucionet e Bashkimit Evropian për të financuar rimëkëmbjen e saj ekonomike pas pandemisë, tha kreu i fondit të shpëtimit të zonës së euros.

Në një intervistë në gazetën Corriere della Sera të Italisë, botuar të dielën, drejtori Menaxhues i Mekanizmit Evropian të Stabilitetit, Klaus Regling, tha se mënyra më e lehtë për të organizuar fonde të tilla do të ishte përmes Komisionit Evropian dhe buxhetit të BE.

"Unë do të thoja se për fazën e dytë na duhen të paktën 500 miliardë euro të tjera nga institucionet evropiane, por mund të jetë më shumë", tha Regling.

Ministrat e financave të Bashkimit Evropian ranë dakord më 9 prill, që zonës së euros, e cila FMN parashikon se do të zhytet në një recesion prej 7.5% këtë vit për shkak të pandemisë, do t'i duhen para për tu rikuperuar, por ata kishin ide të ndryshme se sa është shuma e nevojshme dhe si t'i siguronin ato.

Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë sërish në një videokonference më 23 prill.

09:03 19.4.2020

Trump thotë se Kina mund të përballet me pasoja për përhapjen e COVID-19

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Kinën të shtunën se mund të përballet me pasoja, nëse ishte “me vetëdije përgjegjëse” për përhapjen e koronavirusit.

“Ka mundur të ndalet në Kinë para se të fillojë përhapjen, e gjithë bota po vuan për shkak të kësaj”, tha Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Kjo është deklarata e fundit nxitëse në luftën e fjalëve në mesin e dy ekonomive më të mëdha botërore, në një kohë kur e gjithë bota po bashkëpunon për të tejkaluar këtë krizë.

Trumpi dhe disa zyrtarë të lartë amerikanë kanë akuzuar Kinën për mungesë të transparencës pas shpërthimit të virusit në Vuhan. Këtë javë, Trump kishte pezulluar fondet për Organizatën Botërore të Shëndetësisë pas akuzave për keqmenaxhim dhe fshehje të situatës në Kinë.

SHBA-ja dhe Kina janë përplasur për virusin derisa Trump e ka fajësuar presidentin Xi Jinping për mosndërhyrje në situatë. Trump e ka quajtur “virus kinez” përhapjen e koronavirusit të ri në botë.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të njerëzve të prekur me koronavirus, me mbi 711,000 njerëz të infektuar dhe me mbi 37,000 të vdekur.

22:44 18.4.2020

Edhe 30 raste të reja me koronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) njoftoi të shtunën se ka konfirmuar edhe 30 raste të reja me koronavirus.

Në njoftimin e lëshuar për media, IKSHPK tha se ka testuar gjithsej 242 mostra të marra nga Klinika Infektive, nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, si dhe nga karantina në Qendrën Studentore.

“Rastet pozitive janë raste kontakti”, thuhet në njoftim.

IKSHPK-ja po ashtu bëri të ditur se të shtunën janë shëruar nëntë pacientë, duke e çuar në 93 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Me shifrat e fundit, numri total i të infektuarve në Kosovë arrin në 510.

Dymbëdhjetë pacientë kanë humbur jetën.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG