Dhjetëra fëmijë refugjatë në kampet e Greqisë, zhvendosen në Gjermani
Një grup i përbërë nga 47 fëmijë që është evakuuar nga kampi i refugjatëve në Greqi, ka arritur në Gjermani më 18 prill, thanë autoritetet gjermane.
Fëmijët janë nga Afganistani, Siria dhe Eritrea. Katër nga ta janë vajza dhe disa kanë lidhje familjare mes vete. Disa nga ta kanë anëtare të familjës në Gjermani që po i presin.
Më parë, ata ishin strehuar në ishujt grekë, Lesbos, Samos dhe Kios, gjë që ishte kritikuar nga aktivistët e të drejtave të fëmijëve.
Autoritetet gjermane thanë së të gjithë janë testuar për koronavirus para arritjes dhe se do të qëndrojnë në vetizolim për dy javë para se të lëvizin në vendet tjera.
Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, tha se evakuuimi është rezultat i përgatitjeve të mëparshme edhe bisedimeve më partnërët evropianë.
Gjermania kishte shprehur gatishmërinë të pranojë 350 fëmijë që jetojnë në kampe të Greqisë.
Ky plan ka mbetur pezull në disa shtete për shkak të pandemisë.
Rritje e ndjeshme e numrit të të infektuarve në Rusi
Rusia raportoi një rritje rekord prej 6.060 rasteve të reja me koronavirus gjatë 24 orëve të mëparshme, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 42,853, njoftoi qendra ruse e reagimit ndaj krizave të koronavirusit.
Numri i të infektuarve nga koronavirusi në Rusi filloi të rritet ndjeshëm këtë muaj, megjithëse ky vend kishte raportuar shumë më pak raste sesa shumë vende të Evropës perëndimore në fazat e hershme të shpërthimit të pandemisë.
Rreth 1,700 migrantë po mbahen në xhungël për shkak të koronavirusit
Rreth 1.700 migrantë të paligjshëm që synojnë të shkojnë në Shtetet e Bashkuara, po mbahen nga autoritetet e Panamasë, në një kamp në xhungël.
Disa raste të koronavirusit të ri u zbuluan në mes tyre, tha një burim zyrtar.
Ata po mbahen në La Penita, afër kufirit kolumbian, në objektet e planifikuara për të akomoduar rreth 200 njerëz.
"Shtatëmbëdhjetë migrantë janë infektuar me koronavirusin e ri", tha burimi zyrtar në kushte anonimiteti, raporton AFP.
Të infektuarit tashmë janë larguar nga kampi.
Në Panama, janë 4,273 raste të të infektuarve me koronavirus si dhe janë shënuar 120 vdekje. Migrantët trajtohen në tre pika kufitare të përkohshme, ku qeveria, UNICEF-i dhe Kryqi i Kuq u sigurojnë atyre ujë, ushqim dhe kujdes mjekësor.
Megjithë rreziqet, kufiri midis Kolumbisë dhe Panamasë është bërë prej vitesh një korridor për migrim të paligjshëm, kryesisht nga Haiti, Kuba dhe Venezuela, por edhe vendet më të largëta si Bangladeshi, Nepali, Kongo dhe Kameruni.
Britania e Madhe ende pa vendim për hapjen e shkollave
Ministri i Arsimit në Britaninë e Madhe, Gavin Williamson, tha se ende nuk është marrë asnjë vendim se kur do të hapen shkollat.
Britania ka hyrë në javën e katërt të izolimit të saj mbarëkombëtar.
"Unë mund të ju siguroj se shkollat do të rihapen vetëm kur këshillat shkencore tregojnë se është koha e duhur për ta bërë këtë", tha Williamson në rrjetin social Twitter.
Britania e Madhe ka 115,314 të infektuar me koronavirusin e ri dhe 15,498 të vdekur.