Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
13:46 19.4.2020

Arrin në 51 numri i viktimave nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Ka arritur në 51 numri i viktimave nga koronavirusi në Maqedonisë e Veriut. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka njoftuar për dy viktima të reja, një në Shkup i moshës 66 vjeçe dhe një tjetër i moshës 83 vjeç në qytetin e Prilepit.

Numri më madh i viktimave, gjithsej 13 është në qytetin e Kumanovës ndërsa më pas vjen Struga me 10 dhe Shkupi me 9 viktima.

Ministri i Shëndetësisë ka njoftuar edhe për 37 raste të reja ne koronavirus që shkakton sëmundjen COVID -19. Prej tyre, 9 të infektuar janë regjistruar në Kumanovë dhe 8 në Shkup ndërsa numër më i vogël në 5 qytete tjera. Numri i përgjithshëm i personave të infektuar ka arritur në 1,207.

Drejtuesit e institucioneve ndërkohë kanë vazhduar me thirrjet drejtuar qytetarëve, në veçanti besimtarëve të krishterë që të mos dalin nga shtëpitë gjatë festës së Pashkëve dhe të respektojnë masat e qeverisë për mbrojtje nga përhapja e koronavirusit.

Në gjithë vendin nga e premtja ka hyrë në fuqi ora policore, për kufizimin e plotë të lëvizjes deri në orën 05.00 të mëngjesit të ditës së martë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut të shtunën njoftoi se nga fillimi i muajit maj do të nis me lehtësimin e masave shtrënguese kundër koronavirusit.

“Ne po bëjmë një plan serioz, që pas 1 majit, të nisim me lehtësimin e disa prej masave, të cilat do të jenë në funksion të kthimit të jetës në normalitet”, ka deklaruar kryeministri, Oliver Spasovski.

13:29 19.4.2020

Papa bën thirrje për solidaritet gjatë fazës së rimëkëmbjes nga pandemia

Papa Françesku bëri thirrje për një vizion gjithëpërfshirës të botës pas krizës Covid-19, duke thënë se veprimet për rimëkëmbje pa solidaritet global ose duke përjashtuar sektorët e shoqërisë do të rezultojnë në "një virus edhe më të keq".

Papa u largua nga Vatikani për herë të parë në më shumë se një muaj për të mbajtur një meshë në një kishë pothuajse të zbrazët.

Françesku tha se rimëkëmbja nuk duhet ta lë askënd anash dhe se tani është koha për të shëruar padrejtësitë në të gjithë botën, sepse ato minojnë shëndetin e gjithë familjes njerëzore.

"Tani, ndërsa ne mezi presim një shërim të ngadaltë nga pandemia, ekziston rreziku që të harrojmë ata që kanë mbetur prapa", tha Papa Françesku.

12:56 19.4.2020

Izraeli lehtëson disa masa të kufizimeve

Izraeli filloi të lehtësojë kufizimet e lëvizjes, të cilat ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Kabineti qeveritar vendosi rihapjen e disa dyqaneve, shkollave për fëmijë me nevoja të veçanta arsimore dhe lejimin e tubimeve të vogla për lutje, njoftoi zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Shumica e masave hyjnë në fuqi nga e diela, ndërsa shkollat do të rihapin dyert e tyre për nxënësit të martën, bëri të ditur Ministria e Arsimit.

Sa i përket tubimeve për lutje, ato do të lejohen vetëm nëse mblidhen deri në 19 persona, me kusht që ato të zhvillohen në ajër të hapur, njerëzit të vendosin maskat dhe të mbajnë të paktën dy metra distancë fizike.

Në një fjalim televiziv të shtunën, Netanyahu kishte paraqitur një plan "të përgjegjshëm dhe gradual" që lejonte kthimin e disa punëtorëve në zyra dhe industri.

Izraeli, i cili ka një popullsi prej rreth nëntë milionë banorë, konfirmoi pacientin e tij të parë me koronavirus më 21 shkurt.

Deri më tani janë më shumë se 13.360 raste të konfirmuara me koronavirus, dhe 171 vdekje.

Ditët e kaluara ka pasur një ngadalësim të rasteve të reja të konfirmuara.

"Nëse shohim që brenda dy javësh trendi i përmirësimit vazhdon, do të ketë lehtësim të mëtejshëm", tha kryeministri Netanyahu.

12:25 19.4.2020

Arabia Saudite u kërkon myslimanëve të mos mblidhen për lutje gjatë muajit të Ramazanit

Trupi më i lartë fetar i Arabisë Saudite ka nxitur myslimanët në mbarë botën që të mos mblidhen për lutje gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e koronavirusit, raporton BBC.

Këshilli i Lartë i Dijetarëve tha që myslimanët duhet "të shmangin tubimet sepse ato janë shkaku kryesor i përhapjes së infeksionit", raporton Agjencia Saudite e Shtypit e cila kontrollohet nga shteti.

Arabia Saudite, me shumicë sunite, ka mbyllur xhamitë e saj, duke përfshirë - Xhaminë e Madhe në Mekë - si pjesë e masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri.

Ndërkohë, Udhëheqësi Suprem i Iranit të sunduar nga Shiitët, Ayatollah Khamenei, ka thënë që myslimanëve nuk u kërkohet të agjërojnë gjatë Ramazanit, nëse veprimi i tillë paraqet një kërcënim për shëndetin e tyre.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG