Maqedonia e Veriut në karantinë 85-orëshe
Në Maqedoninë e Veriut gjatë orës policore, e cila ka filluar të premten në orën 16:00 dhe do të zgjasë deri të martën në 5:00 të mëngjesit të drejtë lëvizjeje kanë vetëm qytetarët me leje të posaçme. Objektet fetare mbeten të mbyllura si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
Mbi 16,000 të vdekur nga koronavirusi në Britani
Numri i personave që kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në spitalet britanike është rritur në 16,060, deri në pasditën e së shtunës, ka njoftuar Departamenti për Shëndet dhe Kujdes Shoqëror.
Kjo shifër përbën rritje të numrit të viktimave për 596 në 24 orët e fundit – apo ulje në krahasim me totalin e një dite më parë, 888.
Deri ne ditën e diel në këtë shtet janë kryer 482,063 teste për sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Një total prej 371,967 personave janë testuar, nga të cilët 120,067 kanë rezultuar pozitivë në këtë virus.
Fëmijët spanjollë do të dalin jashtë pas gjashtë javësh
Fëmijët spanjollë janë mbajtur brenda shtëpive nga 14 marsi me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.
Mirëpo tani, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez synon të lehtësojë rregullin më 27 prill, ashtu që fëmijët “të mund të dalin për të marrë pak ajër të pastër”.
Kryetarja e Barcelonës, Ada Colau, e cila ka vetë fëmijë të vegjël, këtë javë i ka kërkuar qeverisë që t’i lejojë fëmijët të dalin jashtë.
Spanja ka regjistruar më shumë se 20,000 persona të vdekur prej fillimit të pandemisë, ndërkohë që pothuajse 200,000 persona janë infektuar.
Në një fjalim televiziv, Sanchez ka thënë se Spanja “ka lënë mbrapa momentet më ekstreme dhe ka ndalur valën brutale të pandemisë”.
Mirëpo ai ka thënë se do t’i kërkojë parlamentit që të vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme deri më 9 maj, pasi rezultatet e izolimit “janë ende të pamjaftueshme”.
Shqipëria në luftë me COVID-19
Shqipëria qe më shumë se një muaj ka filluar të luftojë me virusin vdekjeprurës COVID-19. Brenda këtij muaji, 26 persona kanë vdekur si pasojë e tij.
Deri në këto momente janë testuar 5542 persona, prej të cilëve 562 janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, pra rreth 10% e të testuarve. Deri tani, 314 persona janë shëruar nga virusi.
"Aktualisht në vendin tonë janë 222 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë, dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave”, tha të dielën Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik.
Ajo tha se vendi është duke treguar një trend të mirë të luftimit të virusit dhe se po kryhen testime të mjaftueshme.
Përmbledhjen e plotë e gjeni këtu.