Protestuesit në SHBA kërkojnë rihapjen e ekonomisë
Protestuesit kanë dalë në rrugë në shumë shtete të SHBA-së, duke kërkuar nga autoritetet të rihapin ekonomitë e mbyllura nga pandemia e koronavirusit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sinjalizuar mbështetjen për protestat.
Ai ka thënë se masat e ndalimit në vende si në Minesota, Miçigan dhe Virgjinia ishin "shumë të ashpra".
Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, Nancy Pelosi, kritikoi zotin Trump për miratimin e protestave.
"Ai nuk ka bërë sa duhet për testimin, trajtimin, gjurmimin e kontaktit dhe izolimin për shkak të pandemisë", tha ajo për ABC.
Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, njoftoi këtë javë se shteti do të zgjasë masat e qëndrimit në shtëpi deri më 15 maj.
"Ende duhet të sigurohemi që e mbajmë atë bishë nën kontroll", tha Cuomo.
SHBA-ja është bërë qendra e krizës së koronavirusit të ri Covid-19, me mbi 735,000 raste të të infektuarve dhe rreth 40,000 vdekje.
Koronavirusi i ri u shfaq për herë të parë në Kinë në fund të vitit të kaluar dhe më pas u shpërnda në pothuajse gjitha vendet e botës.
Guvernatorët në disa shtete kanë filluar diskutimet për të planifikuar rihapjen pas shenjave të ngadalësimit të përhapjes së virusit, por rajone të tjera mbeten në izolim të rreptë.
Kosova solidarizohet me BE-në
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka treguar se Kosova është solidarizuar me Bashkimin Evropian, pasi ky i fundit ka regjistruar 800,000 raste të infektuara dhe mbi 70,000 vdekje si pasojë e koronavirusit të ri.
“Në këtë krizë të shëndetësisë, Bashkimi Evropian është zotuar për 5.2 milionë euro për të luftuar sëmundjen Covid-19 dhe 63 milionë euro për të lehtësuar ndikimin socio-ekonomik të shkaktuar nga koronavirusi në Kosovë”, ka thënë Kurti përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë me këtë virus janë infektuar gjithsej 561 persona, derisa 12 kanë vdekur si pasojë e tij.
Edhe 51 raste të reja me koronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka raportuar për 51 raste të reja të prekura me koronavirusin e ri, pas kryerjes së 295 testeve në 24 orë.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, trembëdhjetë (13) raste me vendbanim në Zubin Potok, nëntë (9) raste nga komuna e Ferizajit (sipas vendbanimit: Ferizaj shtatë (7) raste, raste dhe Kosinë dy (2) raste), dhjetë (10) raste nga komuna e Vitisë (sipas venbanimit:Viti gjashtë (6) raste dhe Skifteraj katër (4) raste), gjashtë (6) raste nga Mitrovica e Veriut, katër (4) raste nga Zveçani, tre (3) nga Vojnovc-Shtime, dy (2) raste nga komuna e Leposaviqit (sipas vendbanimit: Leshak dy (2) raste, dy (2) raste nga komuna e Prishtinës dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Prizren dhe Pejë", është thënë në njoftim.
Ky Institut ka bërë të ditur se nëntë persona janë shëruar nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri, duke e rritur numrin total në 102.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë me këtë virus janë infektuar gjithsej 561 persona, derisa 12 kanë vdekur si pasojë e tij.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.
“Infektohet” stafi i pallatit presidencial në Afganistan
Dhjetëra punëtorë të pallatit presidencial në Afghanistan kanë rezultuar pozitivë në testet për koronavirus, është thënë në raportimet e mediave.
Disa prej tyre kanë thënë se 22 raste janë konfirmuar, ndonëse e përditshmja amerikane The New York Times ka thënë se numri është rritur në 40.
Qeveria afgane nuk ka komentuar këtë gjë dhe nuk ka sugjerime se presidenti Ashraf Ghani - i cili raportohet se ka humbur një pjesë të stomakut nga kanceri në vitet 1990 - është infektuar me këtë virus.
Deri më tani në Afghanistan janë regjistruar më pak se 1,000 raste të konfirmuara me koronavirus, derisa 33 persona kanë vdekur.
Megjithatë, numri i vërtetë mund të jetë më i madh, pasi ky shtet ka qasje të kufizuar në testime dhe sistemi shëndetësor është përballur vazhdimisht me konflikte të armatosura.
Ekzistojnë shqetësime se virusi mund të përhapet më shumë pas kthimit të më shumë se 150,000 afganëve nga Irani në muajin mars, ndërkohë që dhjetëra mijëra të tjerë janë kthyer nga Pakistani.