Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
11:35 20.4.2020

Presidenti Thaçi përfundon trajtimin mjekësor në QKUK​

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas trajtimit mjekësor të marrë në Klinikën Urologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është liruar dhe është kthyer në shtëpinë e tij, ka njoftuar zyra e presidentit.

Më herët ishte njoftuar se presidenti Thaçi pas disa shqetësimeve shëndetësore është ndalur për trajtim në Klinikën e Urologjisë.

"Pas shqetësimeve të shfaqura nga gurët në veshkë, presidenti sot (20 prill) ka shkuar për një kontroll në Emergjencën e QKUK-së dhe më pas është shtrirë në Klinikën e Urologjisë, ku po trajtohet nga personeli mjekësor profesional", thuhej në njoftim.

Sipas zyrës së presidentit, gjendja shëndetësore e Thaçit është stabile.

"Presidenti i shpreh mirënjohje për kujdesin e treguar nga i tërë personeli shëndetësor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës", thuhej në njoftim.

Aty nuk është bërë e ditur nëse Thaçi i është nënshtruar testimin për koronavirusin e ri.

10:22 20.4.2020

Papa u bën thirrje politikanëve t'i lënë anash dallimet në kohën e pandemisë

Papa Françesku u bëri thirrje politikanëve që të lënë mënjanë dallimet dhe të merren me krizën e koronavirusit në një mënyrë të bashkuar.

"Ne lutemi sot për burrat dhe gratë që kanë një angazhim politik", tha ai, duke shtuar se "politika është një formë e lartë e bamirësisë".

"(Ne lutemi) për partitë politike të vendeve të ndryshme, në mënyrë që në këtë kohë të pandemisë, ata së bashku të kërkojnë të mirën e vendit dhe jo të mirën e partisë së tyre", tha Papa Françesku.

Udhëheqësi i 1.3 miliardë katolikëve romakë në botë nuk përmendi ndonjë vend apo personalitet politik.

Që nga fillimi i krizës së pandemisë, Papa në vazhdimësi ka tërhequr vëmendjen për efektet e krizës në shtresat më të ndjeshme të shoqërisë, veçanërisht të pastrehët dhe migrantët.

Të dielën ai bëri thirrje për një vizion gjithëpërfshirës të botës pas krizës Covid-19, duke thënë se lëvizja pa solidaritet global ose duke përjashtuar një kategori të njerzve nga shërimi do të rezultojë në "një virus edhe më të keq".

09:20 20.4.2020

Dallimet ndërmjet koronavirusit të ri dhe virusit sezonal

Në kohën e pandemisë së koronavirusit të ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, jo rrallë herë janë shpërfaqur edhe të dhënat për numrin e infektimeve dhe fataliteteve që shkakton virusi sezonal.

Infektologët dhe mikrobiologët, megjithatë tërheqin vërejtjen se koronavirusi i ri është më i ashpër nga virusët sezonalë, pikërisht për shkak të përhapjes së shpejtë që ka.

Një tjetër karakteristikë që po e dallon virusin e ri nga virusët tjerë sezonalë, është mungesa e ilaçit të aprovuar për ta trajtuar.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.

09:05 20.4.2020

Vendet evropiane ndërmarrin hapa për të lehtësuar izolimin

Disa vende evropiane, po fillojnë javën e re me masa lehtësuese të izolimeve të rrepta për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Të hënën, në Gjermani do të lejohet hapja e dyqaneve të vogla dhe në shkolla do të rifillojë mësimi për ato klasa që kanë provime të diplomimit.

Javën e kaluar, Berlini tha se shkalla e të infektuarve nga koronavirusi ishte ngadalësuar dhe se shpërthimi ishte nën kontroll - ndërsa paralajmëroi se njerëzit duhej të ishin vigjilentë për të shmangur një valë të dytë të përhapjes së virusit.

Gjithashtu nga e hëna, Polonia do të rihapë parqe dhe pyje dhe në Norvegji, çerdhet do të rihapin dyert e tyre për fëmijët.

Republika e Çekisë do të lejojë hapjen e disa dyqaneve të vogla dhe në Shqipëri, industria e minierave dhe e naftës do të fillojë sërish së funksionuari.

Sidoqoftë, Spanja, e cila ka vendosur masat më të ashpra në Evropë, dhe Franca kanë vendosur që të zgjasin masat e izolimit edhe për disa javë të tjera.

Megjithatë, në Spanjë, fëmijëve do t'u lejohet të kalojnë ca kohë jashtë shtëpisë.

Ky vend ka regjistruar më shumë se 20,000 persona të vdekur prej fillimit të pandemisë, ndërkohë që pothuajse 200,000 persona janë infektuar.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG