Merkel: Gjermania duhet të mbetet vigjilente
Gjermania duhet të jetë e kujdesshme dhe e disiplinuar në luftën kundër koronavirusit, për të shmangur rikthimin e sëmundjes në javët e ardhshme, tha të hënën kancelarja Angela Merkel.
Gjermania do ta shohë brenda dy javësh nëse relaksimi i pjesshëm i kufizimeve në jetën publike, e ngre lart nivelin e infeksionit, u tha Merkel gazetarëve.
"Ne duhet të mbetemi vigjilentë dhe të disiplinuar", tha ajo.
Pas disa javësh izolim, Gjermania ka rrafshuar lakoren e të infekturave të rinj me koronavirus dhe, javën e kaluar, ka thënë se sëmundja është nën kontroll.
Nga e hëna, autoritetet atje kanë lejuar rihapjen e dyqaneve të vogla, librarive dhe dyqaneve të biçikletave, me kusht që i zbatojnë masat e distancimit fizik.
Të hënën, Gjermania ka regjistruar 1,775 raste të reja me koronavirus dhe 110 viktima.
Me këto shifra, numri i përgjithshëm i të infektuarve është rritur në mbi 145,700, ndërsa i viktimave në 4,404.
Disa këshilla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë:
Çmimi i naftës në SHBA bie në nivel rekord
Çmimi i naftës në Shtetet e Bashkuara ka rënë në nivel të paparë që nga viti 1999, për shkak të rënies së kërkesave, si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
Çmimi i një fuçie të West Texas Intermediate (WTI), që përdoret si pikë referimi për naftën amerikane, ra të hënën për 19.3 për qind, përkatësisht në 14.74 dollarë.
Nafta Brent - standardi i përdorur nga Evropa dhe pjesa tjetër e botës - ra po ashtu për 2.6%, në 27.35 dollarë për fuçi.
Industria e naftës është duke luftuar me kërkesa në rënie dhe argumente midis prodhuesve për uljen e prodhimit.
Kërkesat kanë rënë pasi shumë vende të botës janë izoluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke ndërprerë një pjesë të madhe të trafikut ajror dhe rrugor.
Këtë muaj, pas disa javësh mosmarrëveshjeje, anëtarët e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) janë pajtuar për të ulur prodhimin për rreth 10%, edhe pse disa analistë kanë thënë se reduktimi nuk është aq i madh sa për të bërë ndryshime.
Autoritetet në Kinë bëjnë thirrje për masa më të ashpra të testimit
Autoritetet shëndetësore në Kinë bën thirrje për një regjim testimi më të fuqishëm dhe më të rreptë ndaj koronavirusit.
Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë tha se të gjitha lokalitetet duhet të përmirësojnë aftësitë e tyre të testimit, përfshirë ato në vendkalimet kufitare, dhe të raportojnë çdo informacion epidemik në kohën e duhur.
Koronavirusi i ri u shfaq për herë të parë në Kinë, në fund të vitit të kaluar.
Më 19 prill ky vend, raportoi 12 raste të reja, shifër kjo më e ulëta që nga 13 marsi.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Kinën të shtunën se mund të përballet me pasoja, nëse ishte “me vetëdije përgjegjëse” për përhapjen e koronavirusit.
“Ka mundur të ndalet në Kinë para se të fillojë përhapjen, e gjithë bota po vuan për shkak të kësaj”, tha Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Trumpi dhe disa zyrtarë të lartë amerikanë kanë akuzuar Kinën për mungesë të transparencës pas shpërthimit të virusit në Vuhan.
Këtë javë, Trump kishte pezulluar fondet për Organizatën Botërore të Shëndetësisë pas akuzave për keqmenaxhim dhe fshehje të situatës në Kinë.