Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
17:29 20.4.2020

Presidenti i Brazilit u bashkohet protestave kundër izolimit

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, është kritikuar, pasi u është bashkuar protestuesve që kërkojnë heqjen e kufizimeve, të vëna për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Bolsonaro është përplasur javëve të fundit me guvernatorët e shteteve që kanë ndërmarrë masa izolimi, duke i cilësuar ato si “diktatoriale”.

Duke iu adresuar protestës, të dielën në Brazilia, Bolsonaro ka thënë se protestuesit janë "atdhetarë" që mbrojnë liritë individuale.

Deri të dielën, Brazili ka pasur mbi 38,000 raste të konfirmuara me koronavirus, që është numri më i lartë në Amerikën Latine.

Mbi 2,400 pacientë, ndërkaq, kanë humbur jetën.

"E gjithë bota është e bashkuar kundër koronavirusit, por në Brazil duhet të luftojmë koronavirusin dhe virusin e autoritarizmit", ka shkruar në një postim në Twitter Rodrigo Maia, kryetar i Dhomës së Deputetëve të Brazilit, njëherësh kritik i Bolsonaros.

16:58 20.4.2020

Maqedoni e Veriut: Qeveria harton strategji për lehtësimin e masave

Maqedonia e Veriut ndodhet në ditën e tretë të karantinës prej 85 orësh, e cila ka filluar të premten pasdite dhe përfundon të martën, në orën pesë të mëngjesit.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut bëjnë të ditur se janë në përpilim të një plani, në bazë të të cilit do të fillojë lehtësimi i masave për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, ka thënë të hënën se jeta do të fillojë të kthehet në normalitet pas 1 majit.

Tekstin e plotë mund ta lexoni këtu.

16:51 20.4.2020

Gjokoviq kundërshton vaksinimin e detyrueshëm për koronavirus

Tenisti numër një në botë për meshkuj, Novak Gjokoviq, tha se është kundër vaksinimit për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Gjokoviq tha se do të duhet të marrë një “vendim” nëse lojtarët detyrohen të vaksinohen.

“Nuk do të doja të detyrohem që të marr vaksinën, për të pasur mundësi për të udhëtuar”, tha Gjokoviq gjatë një paraqitjeje të drejtpërdrejtë në Facebook.

Ai dhe famija e tij ndodhen të izoluar në Spanjë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Nëse bëhet e detyrueshme, çfarë do të ndodhë? Do të më duhet të marr një vendim. Unë i kam mendimet e mia për këtë çështje”, tha Gjokoviq.

“Nëse sezoni rinis në korrik, gusht ose shtator – edhe pse ka pak gjasa – e kuptoj se vaksina do të bëhet kërkesë”, shtoi ai.

Tash për tash, të gjitha turnetë e tenisit janë të pezulluara deri më 13 korrik.

Turneu i Wimbledonit është anuluar për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa French Open është shtyrë për katër muaj dhe pritet të zhvillohet në fund të shtatorit.

16:38 20.4.2020

Irani lehtëson disa masa të izolimit

Në Iran u hapën autostradat midis qyteteve dhe qendrat tregtare, edhe pse ky vend vazhdon të përballet me numër të lartë të të infektuarve me koronavirus.

Aktualisht, Irani ka mbi 80,000 raste të konfirmuara dhe mbi 5,000 viktima.

Lehtësimi i masave përfshin edhe hapjen e Pazarit të Madh të Teheranit.

Bizneset e tjera, përfshirë restorantet, mbeten të mbyllura.

Me afrimin e Muajit të Ramazanit, i cili nis më 23 prill, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar se tubimet masive mund të ndalohen.

Teheran, Iran
Teheran, Iran

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG