Disa këshilla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë:
Bie ndjeshëm numri i të infektuarve me koronavirus në Itali
Italia regjistroi në 24 orët e fundit 2,256 raste të reja me koronavirus, që është shifra më e ulët në më shumë se një muaj, bëri të ditur Agjencia për Mbrojtjen Civile.
Sipas saj, edhe 454 pacientë kanë vdekur në 24 orët e kaluara, duke e rritur në 24,114 numrin e përgjithshëm të viktimave.
Italia, një ndër vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi, ka regjistruar në total 181,228 të infektuar.
Prej tyre, 48,877 janë shëruar.
Shifra e sotme e të infektuarve është më e ulëta qysh më 10 mars, kur sëmundja ka nisur të marrë hov në pjesën veriore të Italisë.
Derisa ky vend prin me numrin më të madh të viktimave në Evropë, Spanja ka numrin më të madh të të infektuarve: mbi 200,000.
Në aspektin global, Shtetet e Bashkuara prijnë edhe me numër të të infektuarve, edhe të viktimave.
Hungaria shpreson të dalë nga izolimi në maj
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se muajin e ardhshëm do të prezantojë planin për heqjen e masave të izolimit, të ndërmarra për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Duke folur për një radio lokale, Orban tha se deri më 3 maj, Hungaria do të jetë e gatshme të trajtojë çdo rritje të numrit të të infektuarve.
“Do të jem në gjendje të flas për këtë më 3 ose 4 maj, por shpresoj se deri atëherë – nisur edhe nga përvoja e disa vendeve të tjera – mund të prezantoj një plan më serioz për dalje nga izolimi”, tha Orban.
Ai shtoi se nuk ka ende garanci se sëmundja do të mund të mbahet nën kontroll, porse deri më 3 maj, sipas tij, Hungaria do të ketë mjaftueshëm shtretër dhe respiratorë në spitale.
Hungaria ka 1,984 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 199 viktima.
Ky vend, me gati 10 milionë banorë, ka kryer vetëm 48,057 teste deri më tash.
Edhe qindra të vdekur në Mbretërinë e Bashkuar
Autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar thanë se në 24 orët e fundit kanë vdekur edhe 449 pacientë nga koronavirusi.
Kjo shifër e rrit në 16,509 numrin e përgjithshëm të viktimave në spitale në këtë vend.
Mbretëria e Bashkuar është vendi i pestë në Evropë i prekur më së keqi nga koronavirusi.
Numër më të madh të të infektuarve kanë Spanja, Italia, Franca dhe Gjermania.
Në aspektin global, Shtetet e Bashkuara prijnë edhe me numër të të infektuarve, edhe të viktimave.