Shqipëria dërgon edhe 60 infermierë në Itali
Shqipëra ka dërguar edhe 60 infermierë në Itali, për të ndihmuar trajtimin e pacientëve me koronavirus.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se me këtë vendim shprehet “shpresë dhe solidaritet me popullin mik të Italisë”, i cili, sipas saj, e ka ndihmuar Shqipërinë me vite.
Shqipëria, deri të hënën, ka regjistruar 584 raste me koronavirus dhe 26 viktima.
Në Itali, vdekjet nga koronavirusi kanë kaluar shifrën 23,600, ndërsa numri i të infektuarve është mbi 179,000.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, i mirëpriti infermierët në Aeroportin e Romës.
Përmes një postimi në Twitter, ai e pëshkroi ndihmën si një “tjetër dhuratë” nga miqtë shqiptarë.
Infermierët do t’iu bashkohen edhe 30 mjekëve dhe infermierëve të tjerë shqiptarë që kanë shkuar në Itali në muajin mars.
Italia ka qenë aleate dhe donatore e madhe e Shqipërisë, prejse kjo e fundit ka rrëzuar komunizmin në fund të viteve 1980.
Rreth 400,000 shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Itali.
“Shenja inkurajuese” në luftën kundër koronavirusit në Britani
Qeveria britanike tha të hënën se “ka shenja inkurajuese” se shpërthimi i koronavirusit është duke u qetësuar, por paralajmëroi se është shumë herët për heqjen e masave të izolimit.
Mbi 16,500 pacientë me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, kanë vdekur në Mbretërinë e Bashkuar.
Zyrtarët shëndetësorë thanë se lakorja e të infektuarve të rinj është rrafshuar dhe se numri i njerëzve të hospitalizuar në Londër – kryeqendrën e shpërthimit në Britani – vazhdon të bie.
“Ka shenja inkurajuese se jemi duke bërë përparim”, tha ministri i Financave, Rishi Sundak, në një konferencë për media.
Megjithatë, ai shtoi se qytetarët britanikë duhet të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet për të qëndruar në shtëpi.
Britania është izoluar në fund të marsit, duke u kërkuar njerëzve të qëndrojnë brenda, përveç për ushtrime dhe blerje të gjërave thelbësore.
Javën e kaluar, masat janë shtyrë edhe për tri javë.
I infektuar me koronavirus ka qenë edhe kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili vazhdon të shërohet.
Ministri i Jashtëm, Dominic Raab, po i kryen detyrat në mungesë të tij.
Bumerangu i mosinvestimeve në shëndetësi
Mungesa e anesteziologëve dhe infektologëve e ka rënduar edhe më shumë situatën e pandemisë së koronavirusit në Kosovë.
Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Basri Sejdiu, thotë se deri te kjo ka ardhur për shkak të mosplanifikimeve buxhetore për hapjen e vendeve të reja të punës në sistemin shëndetësor.
"Këtë vit, nuk kemi të lejuar numër për rekrutim të stafit shëndetësor. Tash, edhe gjatë kohës së pandemisë, është evidente mungesa e anesteziologëve dhe infektologëve. Në fakt, ka mungesë edhe të dhënies së specializimeve", thotë Sejdiu.
Kosova, prejse ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars, përballet me numër në rritje të të infektuarve.
Pacientët e prekur kanë shpesh probleme ekzistuese ose shoqëruese shëndetësore.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht në Klinikën Infektive në Prishtinë janë të punësuar 21 infektologë, kurse 14 të tjerë janë duke punuar në komunat tjera: Gjilan, Prizren dhe Gjakovë.
Tekstin e plotë mund ta lexoni këtu.
Mbi 20,000 viktima nga koronavirusi në Francë
Franca regjistroi të hënën mbi 20,000 viktima nga koronavirusi, duke u bërë vendi i katërt në botë që e kalon këtë prag, pas Italisë, Spanjës dhe Shteteve të Bashkuara.
Shifrat zyrtare, megjithatë, tregojnë se numri i pacientëve nën kujdes intensiv ka rënë për të dymbëdhjetën ditë me radhë.
Udhëheqësi i Institutit të Shëndetit Publik në Francë, Jerome Salomon, tha se viktimat nga koronavirusi janë rritur për 2.8 për qind, në 20,265, krahasuar me rritjen për 2.0 për qind, të dielën.
“Vendi ynë e kaloi një prag që është simbolik dhe i dhimbshëm”, tha Salomon.
Javën e kaluar, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka zgjatur masat e izolimit atje deri më 11 maj, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Në një adresim televiziv, Macron ka thënë se kufizimet aktuale e kanë ngadalësuar koronavirusin, por nuk e kanë mundur atë.