Çmimet e naftës bien për herë të parë nën zero
Çmimet e naftës në Shtetet e Bashkuara kanë rënë në vlera negative për herë të parë në histori.
Kjo ka ndodhur për shkak të rënies së kërkesave, si rezultat i pandemisë së koronavirusit.
Kontratat e dërgesave të naftës së papërpunuar West Texas Intermediate për muajin maj, janë mbyllur të hënën me çmim prej minus 37.63 dollarësh për fuçi.
Kjo do të thotë se prodhuesit do të duhet t’i paguajnë blerësit për të marrë naftën e tyre të papërpunuar, që ata nuk mund ta shesin.
West Texas Intermediate përdoret si pikë referimi për naftën amerikane.
Rënia e çmimeve vjen pavarësisht një marrëveshjeje që kanë arritur këtë muaj prodhuesit e naftës për ulje të prodhimit për rreth 10 për qind.
Industria e naftës është duke luftuar me kërkesa në rënie, pasi shumë vende të botës janë izoluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke ndërprerë një pjesë të madhe të trafikut ajror dhe rrugor.
Kosova dhe Serbia me sjellje humanitare para stuhisë politike?
Ballafaqimi me pandeminë globale të koronavirusit ka nxjerrë në pah përafrimin dhe bashkëpunimin e institucioneve shëndetësore të vendeve të rajonit, por me specifika të veçanta përbrenda Kosovës, vlerësojnë njohës të zhvillimeve, shqiptarë dhe serbë.
Sipas tyre, situata e pandemisë është e jashtëzakonshme dhe ajo ka imponuar veprime politike, të cilat mund të konsiderohen të pazakonshme dhe që kanë kushtëzuar një lloj bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë që bashkëpunimi i Kosovës me Serbinë, në kohën sa po zgjat pandemia, është mjaft i komplikuar dhe ka kaluar nëpër shumë filtra ndërkombëtarë.
Por, sipas tij, është e dukshme që për shkak të pandemisë së koronavirusit, drejtuesit e të dyja vendeve kanë vendosur që t’i lehtësojnë barrierat politike dhe të ndryshojnë qasjen.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Shpallet orë policore 4-ditëshe në dhjetëra qytete të Turqisë
Në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se nga e enjtja do të ketë orë policore në Stamboll dhe 30 qytete të tjera.
“Orën policore planifikojmë ta zbatojmë nga data 23 deri më 26 prill në 31 qytete”, tha Erdogan në një fjalim televiziv drejtuar kombit.
Gjatë dy fundjavave të kaluara, Turqia e ka zbatuar këtë masë për 48 orë në 31 qytete.
Data 23 prill është festë zyrtare në Turqi, pasi shënon 100-vjetorin e themelimit të Parlamentit turk.
Të hënën, autoritetet shëndetësore atje regjistruan 123 viktima të reja me koronavirus, të cilat e çojnë në 2,140 numrin e përgjithshëm të tyre.
Afro 91,000 persona aktualisht janë të infektuar në Turqi.
Turqia ka mbyllur shkollat, ka ndaluar tubimet masive dhe ka urdhëruar izolimin e njerëzve mbi 65 vjeç ose nën 20 vjeç.
Erdogan tha se turqit, në masë të madhe, i kanë ndjekur rregullat.
“Qëllimi ynë është që t’i zbatojmë masat në mënyrën më të ashpër të mundshme dhe t’i reduktojmë ato në një nivel normal në fund të Fitër Bajrami”, tha Erdogan.
Këtë javë, në botën myslimane nis Muaji i shenjtë i Ramazanit që zgjat 30 ditë. Pas tij vjen festa e Fitër Bajramit.
OBSH-ja nuk mban sekrete, thotë shefi i saj
Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se agjencia e tij nuk ka fshehur informacione për koronavirusin për asnjë vend.
Komentet vijnë pasi trajtimi i pandemisë nga ana e OBSH-së është kritikuar ashpër nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Ai ka thënë se OBSH-ja ka dështuar të menaxhojë me shpërthimin e koronavirusit dhe se i ka besuar shumë Kinës – vendit ku janë shfaqur rastet e para në fund të vitit të kaluar.
Javën e kaluar, Trump e ka urdhëruar administratën e tij që t’i ndërpresë fondet për OBSH-në.
Në një adresim televiziv, Tedros tha se rreth 15 përfaqësues të Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve janë akredituar në OBSH qysh në muajin janar dhe janë mbajtur vazhdimisht të informuar.
“Ne nuk kemi sekrete në OBSH. Sapo të marrim informacione, i raportojmë ato, sepse bëhet fjalë për jetë njerëzish”, tha Tedros.
Ai paralajmëroi se mosmarrëveshjet politike mund t’i dëmtojnë përpjekjet për të shpëtuar jetë.
“Ju e dini se nga vi unë. Unë di për luftën. Di për varfërinë. Di për sëmundjen. Di se si vuajnë njerëzit në të gjitha kushtet. Di se si vriten njerëzit për shkak të varfërisë”, tha Tedros, i cili vjen nga Etiopia.
Koronavirusi ka prekur afro 2.5 milionë njerëz në gjithë botën dhe ka vrarë mbi 167,000.
Numrin më të madh të të infektuarve dhe të viktimave e kanë Shtetet e Bashkuara.