Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
08:50 21.4.2020

Disa shtete të SHBA-së lehtësojnë izolimin nga koronavirusi

Në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar 42,364 viktima nga koronavirusi – më shumë se në çdo vend tjetër.

SHBA-ja ka po ashtu numrin më të lartë të të infekturave, i cili është mbi 787,000.

Por, pavarësisht vazhdimit të përhapjes së sëmundjes në disa pjesë, disa shtete amerikane janë duke i lehtësuar masat e izolimit ose janë duke e planifikuar një gjë të tillë.

Karolina e Jugut ka lejuar dyqanet e shitjeve me pakicë të rihapen, ndërsa Xhorxhia do të lejojë palestrat dhe parukeritë të rihapen nga e premtja.

Shumica e bizneseve në Tenezi do të rihapen më 1 maj.

Në të trija këto shtete, masa e distancimit fizik do të mbetet në fuqi.

Këtë javë, edhe disa shtete të Evropës kanë nisur ose do të nisin heqjen e disa masave të izolimit.

Pas SHBA-së, Spanja dhe Italia kanë numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus.

Në aspektin global, afro 2.5 milionë njerëz janë prekur nga sëmundja dhe mbi 170,000 kanë humbur jetën.

08:22 21.4.2020

Serbia lehtëson disa masa kundër koronavirusit

Qeveria e Serbisë do t’i lehtësojë disa masa të kufizimit, të ndërmarra për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Disa biznese të vogla, përfshirë mekanikët e makinave, këpuctarët dhe libraritë, do të lejohen të punojnë nga sot.

Qeveria serbe tha se bizneset duhet të zbatojnë disa masa të rrepta për parandalimin e sëmundjes, të tilla si veshja e maskave dhe dorezave, si dhe dezinfektimi.

Qendrat tregtare, kafenetë, restorantet, shkollat dhe kopshtet do të mbeten të mbyllura.

Ora policore gjatë natës do të shkurtohet për një orë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndërmarrë muajin e kaluar disa nga masat më të rrepta në Evropë, për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.

Gjatë fundjavës së kaluar, qeveria ka vendosur shtet-rrethim 84-orësh, për të parandaluar shoqërimin e njerëzve gjatë Pashkëve Ortodokse.

Serbia ka mbi 6,600 të infektuar me koronavirus dhe 125 viktima.

08:02 21.4.2020

Imigrimi në SHBA do të pezullohet për shkak të koronavirusit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për të pezulluar përkohësisht imigrimin në SHBA, për shkak të koronavirusit.

Në një postim në Twitter, Trump përmendi “sulmin e armikut të padukshëm” - siç i referohet ai koronavirusit - dhe nevojën për të mbrojtur vendet e punës për amerikanët, por nuk dha më shumë detaje.

Nuk është e qartë se cilat programe do të preken dhe nëse presidenti do të jetë në gjendje për të zbatuar urdhrin.

Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Kritikët thonë se qeveria është duke e shfrytëzuar pandeminë për të goditur imigrimin.

Njoftimi i Trumpit erdhi pasi Shtëpia e Bardhë tha se më e keqja e pandemisë ka kaluar dhe se SHBA-ja mund të nisë të rihapë ekonominë.

SHBA-ja ka numrin më të madh në botë të të infektuarve me koronavirus dhe të viktimave që lidhen me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19.

Mbi 780,000 njerëz janë infektuar atje dhe mbi 42,000 kanë humbur jetën.

Gjatë katër javëve të kaluara të izolimit, mbi 20 milionë amerikanë kanë mbetur pa punë.

22:50 20.4.2020

Edhe 37 raste të reja me koronavirus në Kosovë

Në Kosovë u konfirmuan të hënën edhe 37 raste të reja me koronavirus.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se në total janë kryer 353 teste.

“Është inkurajuese se nga disa komuna, si Malisheva, Ferizaj dhe Suhareka, si vatra të infeksionit për disa ditë, sonte nuk ka asnjë rast”, tha Vitia përmes një postimi në Facebook, duke iu bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi.

Vitia po ashtu bëri të ditur se 21 pacientë janë shëruar nga sëmundja COVID-19, të cilën e shkakton koronavirusi.

Shifrat e njëjta u konfirmuan edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë.

Sipas tij, numri total i të infektuarve me koronavirus aktualisht është 598, ndërsa i të shëruarve 123.

Pesëmbëdhjetë pacientë kanë humbur jetën, përfshirë këtu dy raste të vdekjes nga Komuna e Mitrovicës së Veriut dhe një nga Komuna e Leposaviqit, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG