Uria globale mund të rritet për shkak të koronavirusit
Numri i njerëzve që përballen me pasiguri të mëdha ushqimore mund të rritet ndjeshëm këtë vit, për shkak të ndikimit ekonomik të koronavirusit.
Programi Botëror për Ushqim i Kombeve të Bashkuara tha se 130 milionë njerëz mund të mbeten të uritur këtë vit, për shkak të të ardhurave të humbura nga turizmi, nga rënia e remitencave dhe kufizimet e tjera të lidhura me pandeminë.
Aktualisht, sipas kësaj agjencie, 135 milionë njerëz përballen me pasiguri akute ushqimore.
"COVID-19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi] do të jetë potencialisht katastrofik për miliona njerëz”, tha Arif Husain, drejtor i kërkimeve pranë Programit Botëror të Ushqimit.
Koronavirusi ka prekur afro 2.5 milionë njerëz në botë, ndërsa ka vrarë mbi 170,000.
Çekia kryen studim për zbulimin e rasteve të padiagnostikuara me koronavirus
Republika Çeke do të nisë një studim gjithëpërfshirës, për të përcaktuar numrin e rasteve të pazbuluara me koronavirus në popullatën e saj.
Ministri i Shëndetësisë, Adam Vojtech, tha se 27,000 njerëz në gjithë Çekinë do të testohen gjatë dy javëve të ardhshme, nisur nga e enjtja.
Studimi do të kryehet në pjesë të ndryshme të këtij vendi.
Popullata e testuar do të përfshijë vullnetarë dhe një grup të zgjedhur të njerëzve që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Rezultatet do të bëhen publike në fillim të majit dhe pritet t’iu ndihmojnë autoriteteve për të planifikuar heqjen e masave të izolimit, të ndërmarra për të frenuar pandeminë.
Sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë në Republikën Çeke, 6,914 persona janë infektuar me koronavirus.
Raste aktive janë 5,121, ndërsa 196 kanë humbur jetën.
Anulohet festivali i birrës, Oktoberfest
Festivali i njohur i birrës, Oktoberfest, nuk do të mbahet këtë vit në Gjermani, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Landi gjerman i Bavarisë njoftoi të martën se ngjarja është anuluar.
Oktoberfest do të duhej të mbahej nga data 19 shtator deri më 4 tetor.
Zakonisht, atë e vizitojnë rreth 6 milionë njerëz.
Anulimi pritet t’i japë një goditje të madhe ekonomisë së Mynihut – qytetit ku organizohet festivali.
Reuters thotë se festivali gjeneron më shumë se 1 miliard euro për Mynhun çdo vit.
Gjermania ka nisur të lehtësojë disa masa kundër koronavirusit, por ka thënë se distancimi fizik do të mbetet në fuqi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë disa këshilla për gratë që janë shtatzëna në kohën e pandemisë së koronavirusit: