Në Kosovë kthehen 120 qytetarë nga Turqia
Ministri në detyrë i Ambientit dhe Infrastrukturës në Kosovë, Lumir Abdixhiku, gjatë një konference për media, tha se në Kosovë sot pritet të kthehen 120 qytetarë nga Turqia - shumica prej të cilëve kanë qenë atje për shërim, por që janë bllokuar për shkak të situatës së krijuar me koronairus.
Të gjithë të kthyerit, sipas Abdixhikut, do të vendosen në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë për 14 ditë, për të shmangur kontaktet me njerëz të tjerë.
“Si koordinator i kësaj nisme, ne kemi ndërtuar një model që ka marrë për bazë nevojat e qytetarëve, por edhe sigurinë e shëndetit publik në Kosovë. Përmes ambasadave është bërë identifikimi dhe janë 2,000 qytetarë që kanë shprehur interesim për kthim”, tha Abdixhiku.
“Do t’i sjellim edhe 50 qytetarë nga Gjermania, 16 studentë nga Polonia dhe një punëtor nga Liberia. Numri varet nga vendet e lira në Qendrën e Karantinës”, tha ai.
Abdixhiku po ashtu tha se po planifikohet edhe kthimi i 100 qytetarëve të Kosovës nga SHBA-ja, por i gjithë procesi do të zhvillohet hap pas hapi, pasi që, sipas tij, kthimi varet edhe nga hapësira që ka Qendra e Studentëve.
Sipas vendimeve të Qeverisë së Kosovës, derisa vazhdon situata e emergjencës shëndetësore, të gjithë kosovarët që kthehen në Kosovë gjatë kësaj kohe, fillimisht duhet të hyjnë në karantinë për 14 ditë, në mënyrë që të shmanget përhapja e koronavirusit.
Infografikë:
Dalja nga izolimi duhet të jetë graduale, thotë OBSH-ja
Derisa shumë vende planifikojnë ose kanë nisur lehtësimin e masave të izolimit, të ndërmarra për frenimin e koronavirusit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kërkuar nga to që këtë proces ta bëjnë në mënyrë graduale.
Relaksimi i parakohshëm mund të çojë në rritje të numrit të rasteve me koroanavirus, paralajmëroi të martën OBSH-ja.
“Së paku derisa të gjendet vaksina ose një trajtim shumë i efektshëm, ky proces duhet të bëhet normalja jonë e re”, tha Takeshi Kasai, drejtor rajonal për Paqësorin Perëndimor, pranë OBSH-së.
Sipas tij, masat e izolimit kanë rezultuar të efektshme.
"Shoqëria dhe individët duhet të jenë të gatshëm për një mënyrë të re jetese", tha Kasai.
Disa vende në Evropë kanë nisur këtë javë heqjen e disa masave të izolimit, duke hapur kryesisht dyqane të vogla.
Relaksimi i kufizimeve është paralajmëruar edhe në Shtetet e Bashkuara.
Koronavirusi ka prekur deri më tash gati 2.5 milionë njerëz dhe ka vrarë mbi 170,000.
Si do të duket Evropa pas koronavirusit?
Shkruan: Rikard Jozwiak
Së fundmi kam biseduar me një numër zyrtarësh dhe përfaqësuesish të Bashkimit Evropian nga vendet anëtare, rreth asaj sesi do të duket Evropa pas koronavirusit. Përderisa parashikimet e bëra në topin e kristaltë janë shumë të pasakta tani, unë kam vërejtur disa trende interesante për rrugët që mund të ndjekë kontinenti.
Janë pak gjëra për të cilat pajtohen të gjithë: po, do të ketë shumë dëme dhe errësirë, mirëpo Bashkimi Evropian do të dalë prej kësaj krize shëndetësore në një pikë. Vaksina do të zbulohet dhe virusi do të shtypet.
Masat kufizuese do të zbatohen për një kohë dhe mund të rivendosen sërish, nëse hiqen para kohe, mirëpo, megjithatë, do të ketë një rrugëdalje mjekësore.
Çelësi qëndron te mënyra sesi Evropa do të përgjigjet ndaj krizës ekonomike. Këtu unë mund të shpalos tri rrugë të qarta, por shumë të ndryshme që mund të realizohen, të mbushura me kurthe dhe kompromise...
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.