Kthehen në Kosovë 120 qytetarë nga Turqia
Ministri në detyrë i Ambientit dhe Infrastrukturës në Kosovë, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se në Kosovë kanë arritur 120 qytetarë nga Turqia.
Në një postim në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se shumica e të kthyerëve kanë qenë në trajtim jashtë vendit.
“Gjendja e tyre shëndetësore ishte alarm për gjithëkë. Kthimi, ndërsa është lehtësim i madh për të gjithë ne”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.
Ai po ashtu ka thënë se të mërkurën në Kosovë do të kthehen edhe 12 shtetas nga Çekia dhe Polonia.
Të gjithë të kthyerit sikur edhe në të kaluarën do të dërgohen në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë për 14 ditë, për të shmangur kontaktet me njerëz të tjerë në rast se janë të infektuar me koronavirusin e ri.
Deri më tash, Kosova ka regjistruar 598 raste të të infektuarve – prej tyre 123 janë shëruar.
Numri i viktimave ka arritur të martën në 16.
Mbi 2.5 milionë persona të infektuar me koronavirus në botë
Të dhënat e fundit tregojnë që më shumë se 2.5 milionë janë prekur në gjithë botën nga koronavirusi i ri.
Sipas të dhënave të Universitetit amerikan, Johns Hopkins, shifrat aktuale kanë arritur në 2,501,156 të infektuar.
Numri i vdekurve në botë ka arritur 171,810.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen Covid-19 që shkakton koronavirusi, pandemi globale.
Bie numri i rasteve aktive me koronavirus në Itali
Numri i personave të infektuar me koronavirusin e ri ka rënë për të dytën ditë me radhë në Itali.
Deri të martën janë regjistruar 528 raste më pak në këtë shtet, duke e dërguar numrin total të të prekurve në 107,709 ka thënë Agjencia për Mbrojtje Civile në këtë vend.
Një ditë më parë, Italia ka raportuar uljen e parë të numrit të personave që janë aktivë me virus.
Numri i personave të vdekur në këtë shtet si pasojë e koronavirusit ka arritur në 24,648, që përbën rritje për 534 në 24 orët e fundit.
Kryeministri italian, Guiseppe Conte ka thënë se do të ishte e “papërgjegjshme” hapja e shtetit kur izolimi të përfundojë më 4 maj.
“Unë do të dëshiroja të deklaroja, le të hapim gjithçka. Tani. Mirëpo ky veprim do të ishte i papërgjegjshëm” ka thënë Conte përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.
Papunësia, problemi më i madh pas pandemisë
Qamil Shala nga Fushë Kosova ka një muaj që ka mbetur pa punë, për shkak të masave emergjente, që kanë shtyrë shumë biznese të mbyllin dyert. Masat emergjente kanë nis së zbatuari që prej paraqitjes së koronavirusit të ri.
“Kam qenë punëtor në një market, por para një muaji më kanë larguar nga puna dhe tani jam i papunë; jo vetëm unë, aty ka pas shumë punëtorë, por janë larguar shumica dhe nuk e di çka do të bëhet pasi të përfundojë pandemia. Nuk besoj që do të kthehemi aty për një kohë të gjatë, por do të kemi vështirësi edhe pas përfundimit të pandemisë, nuk e di me çka do të jetojmë”, thotë ai.
Kosova ka një shkallë papunësie prej 30 për qind, por ky numër pritet të jetë më i madh marrë parasyshë numrin e personave, që kanë humbur vendin e punës për shkak të pandemisë.
Një hulumtim i Shoqatave Ekonomike në Kosovë i publikuar më 21 mars, vë në pah se 30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.
Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, sipas këtij hulumtimi rezulton që më së paku punonjës janë larguar nga ndërmarrjet e mëdha, ndërsa largimet më të mëdha raportohen në ndërmarrjet e mesme dhe ato të vogla - rreth 13.9 për qind e tyre kanë larguar mbi 50 për qind të të punësuarve.
Materialin e plotë e gjeni këtu.