Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
23:40 21.4.2020

Edhe gjashtë persona të prekur me koronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar për gjashtë raste të prekura me koronavirusin e ri në 24 orët e fundit në Kosovë, pas testimit të 191 mostrave.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, dy (2) raste me vendbanim në Prizren, dy (2) raste me vendbanim në Mitrovicën e Veriut dhe dy (2) raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: një (1) rast Pejë dhe një (1) rast Llugaxhi”, është thënë në komunikatë.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë me këtë virus janë infektuar gjithsej 604 persona, derisa 18 kanë vdekur si pasojë e tij.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 128.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

22:51 21.4.2020

Numri i të burgosurve në Nju Jork, më i ulëti në 70 vjet

Numri i të burgosurve në Nju Jork ka rënë nën 4,000 për herë të parë në 70 vjet në kohën e pandemisë me koronavirus, ka thënë kryetari i këtij vendi Bill de Blasio.

Ky shtet ka punuar për të ulur numrin e personave të burgosur nga mesi i muajit mars, për shkak të shqetësimeve për përhapje të koronavirusit brenda ambienteve të burgjeve.

Më shumë se 2,000 të burgosur janë liruar, ndërkohë që numri i personave që kanë hyrë në burgje ka qenë rreth 600, në krahasim me 3,300 në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Kryetari i Nju Jorkut ka thënë se qyteti është duke krijuar strategjinë e vet për rezerva të pajisjeve mjekësore, duke përfshirë teste, veshje dhe ventilatorë pasi qeveria federale nuk ka ofruar mjaftueshëm.

Pas anulimit të një varg ngjarjesh ditën e hënë, de Blasio ka thënë se gjëja e parë që ky qytet do të bëjë pasi të rihapet është që të “organizojë paradën më të madhe ndonjëherë” për të nderuar punëtorët shëndetësorë dhe personat që janë në vijën e parë të frontit kundër sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Nju Jorku është epiqendra e përhapjes së pandemisë me koronavirus në Shtetet e Bashkuara, me më shumë se 134,800 raste, derisa të paktën 14,400 persona janë konfirmuar apo besohet se kanë vdekur nga ky virus.

22:21 21.4.2020

Bislimi: Rreth 500 mijë euro donacione nga mërgimtarët

Rreth 500 mijë euro është vlera e donacioneve të mërgimtarëve me prejardhje nga Kosova, që janë derdhur në llogarinë e Qeverisë në detyrë të Kosovës me qëllim të luftimit të pandemisë me koronavirus.

Kështu ka bërë të ditur, ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Vlera më e madhe e donacioneve është nga shteti i Zvicrrës pasuar nga Gjermania.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më 12 prill të këtij viti, ka kërkuar nga mërgimtarët që ta ndihmojnë autoritetet me mjete financiare, për ta sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

22:08 21.4.2020

OBSH: Nuk ka të dhëna për lëshim të koronavirusit nga laboratori

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se të dhënat tregojnë që koronavirusi e ka origjinën nga kafshët, duke hedhur poshtë raportimet se është prodhuar në ndonjë laborator kinez.

Javën e kaluar presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se administrata është duke analizuar pretendimet e pavërtetuara se koronavirusi ka origjinën nga një laborator në Vuhan.

Vuhani, qytet në Provincën Hubei, është përballur me rastet e para të prekura me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi vitin e kaluar.

Të martën, zëdhënësja e OBSH-së, Fadela Chaib ka thënë se të gjitha të dhënat tregojnë se virusi “nuk është krijuar në ndonjë laborator apo diku tjetër”.

“Është e mundshme që virusi ka origjinë nga kafshët”, ka thënë ajo në një konferencë për media në Gjenevë.

Ajo ka thënë se megjithatë ende nuk dihet si është bartur virusi nga kafshët në njerëz.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG