Rritje e lehtë e numrit të të infektuarve me koronavirus në Gjermani
Gjermania tha se ka regjistruar edhe 2,237 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit.
Shifra paraqet një rritje të lehtë të numrit të të infektuarve, për të dytën ditë me radhë, tha Instituti i Sëmundjeve Infektive Robert Koch.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve tani është 145,694, edhe pse rreth dy të tretat e tyre tashmë janë shëruar.
Në 24 orët e fundit është rritur për 281 edhe numri i viktimave, i cili aktualisht është 4,879.
Këtë javë, Gjermania ka lehtësuar disa masa të izolimit, të ndërmarra për frenimin e përhapjes së sëmundjes.
Autoritetet atje kanë hapur disa dyqane të vogla dhe kanë lejuar rinisjen e disa orëve mësimore.
Kancelarja Angela Merkel ka kërkuar që Gjermania të jetë e kujdesshme dhe e disiplinuar në luftën kundër koronavirusit, për të shmangur, siç ka thënë ajo, rikthimin e sëmundjes në javët e ardhshme.
Gjermania, edhe pse ka numër të madh të të infektuarve, ajo ka numër më të vogël të viktimave krahasuar me vendet tjera evropiane: Italinë, Spanjën dhe Francën – secila me mbi 20,000 të vdekur.
Suksesi relativ i Gjermanisë në trajtimin e koronavirusit u është atribuar kryesisht testimeve masive.
Dhjetëra kenianë ikin nga karantina
Presidenti i Kenias, Uhuru Kenyatta, tha se dhjetëra njerëz që janë filmuar duke ikur nga karantina e detyrueshme në kryeqytetin Nairobi, do të arrestohen.
Ai i bëri këto komente të mërkurën në mëngjes, pak orë pasi videoja u përhap në mediat sociale.
Videoja i tregon disa njerëz duke kërcyer mbi një mur rrethues në një nga qendrat e karantinës.
Presidenti Kenyatta tha se qeveria i di emrat e të gjithë atyre që kanë ikur dhe se do t’i kthejë ata në karantinë.
Kenia ka më pak se 300 raste të konfirmuara të të infektuarve me koronavirus.
Trump pezullon aplikimet për qëndrim të përhershëm në SHBA
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do t’i pezullojë aplikimet e shtetasve të huaj për qëndrim të përhershëm në SHBA, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Trump tha se kjo masë do t’i mbrojë vendet e punës për amerikanët.
Nuk është e qartë ende se sa efektive do të jetë ajo, pasi shumica e shërbimeve të vizave tashmë janë pezulluar për shkak të koronavirusit.
Kritikët thonë se Trump po përpiqet të tërheqë vëmendjen nga përgjigjja e tij ndaj pandemisë.
Shtetet e Bashkuara kanë mbi 45,000 viktima.
Demokratët po ashtu e akuzojnë administratën se e shfrytëzon pandeminë për të goditur imigrimin.
Kjo çështje, për kohë të gjatë, ka qenë temë e fuqishme e fushatës së Trumpit, i cili vjen nga radhët e Partisë Republikane, por ajo ka dalë në plan të dytë gjatë krizës me koronavirus.
Trump tha se urdhri ekzekutiv me vendimin ka gjasa të nënshkruhet të mërkurën.
Më shumë se 20 milionë amerikanë kanë humbur punën, për shkak të masave të izolimit nga pandemia e koronavirusit.
Trump tha se Qeveria e tij ka një “detyrë serioze” për të siguruar rikthimin e punës për ta.
Shteti amerikan padit Kinën për shpërthimin e koronavirusit
Shteti amerikan i Misurit paditi Qeverinë e Kinës dhe Partinë e saj Komuniste për, siç tha, mashtrim të qëllimshëm, që çoi në pandeminë e koronavirusit.
“Qeveria e Kinës e gënjeu botën për rrezikun dhe natyrën ngjitëse të sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi, dhe bëri pak për të ndaluar përhapjen e saj”, tha prokurori i përgjithshëm i Misurit, Eric Schmitt.
“Kina duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj”, shtoi ai.
Padia kërkon dëmshpërblime për jetët e humbura, vuajtjet e njerëzve dhe trazirat ekonomike që kanë ndodhur në shtetin e Misurit.
Kina e mohon fuqishëm mosmenaxhimin e krizës.
Rastet e para me koronavirus atje janë shfaqur në fund të vitit të kaluar dhe më pas janë përhapur në gjithë botën.
Mbi 2.5 milionë njerëz janë prekur nga koronavirusi dhe mbi 177,000 kanë vdekur.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve, mbi 825,000, dhe të viktimave, mbi 45,000.