Masa të veçanta për shtatzënat e prekura me koronavirus në Kosovë
Tri gra shtatzëna në Kosovë janë të diagnostikuara me koronavirus.
Drejtori i Klinikës Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Jakup Ismaili, i tha Radios Evropa e Lirë se gjendja e tyre shëndetësore aktualisht është e mirë dhe se klinika që ai drejton, ka ndërmarrë disa hapa për frenimin e përhapjes së pandemisë.
“Para disa ditësh, kemi marrë në klinikë një kamerë llaserike, që e mat temperaturën në mënyrë automatike. Çdo paciente që e ka temperaturën mbi 38 gradë, na alarmon dhe menjëherë e identifikojmë. Gjithashtu kemi termometra llaserikë dhe çdo pacienteje në ambulanca të pranimit i matet temperatura”.
Si masë për parandalimin e sëmundjes COVID-19, të cilën e shkakton koronavirusi, Ismaili tha se pacientëve u merret edhe një historik i shkurtër.
Tekstin e plotë mund ta lexoni këtu.
Spanja regjistron edhe mbi 400 viktima nga koronavirusi
Spanja regjistroi në 24 orët e kaluara edhe 435 viktima nga koronavirusi.
Kjo shifër, që është pak më e lartë se në 24-orëshin paraprak, e çon në 21,717 numrin e përgjithshëm të viktimave në këtë vend.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha të mërkurën se qeveria e tij planifikon që në gjysmën e dytë të majit të nisë lehtësimin e masave të izolimit, të ndërmarra për frenimin e pandemisë së koronavirusit.
Kufizimet do të lehtësohen ngadalë dhe gradualisht, tha Sanchez në një senacë parlamentare.
“Duhet t’i shmangim gabimet", tha ai.
Ligjvënësit spanjollë do të votojnë sot për zgjatjen ose jo të gjendjes së jashtëzakonshme deri më 9 maj.
Spanja është izoluar më 14 mars.
Pas Shteteve të Bashkuara, ajo ka numrin më të madh në botë të të infektuarve me koronavirus: mbi 204,000.
Nafta Brent bie në rekordin më të ulët në më shumë se dy dekada
Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, që përdoret si standard ndërkombëtar, ka rënë të mërkurën nën 16 dollarë për fuçi, që është çmimi më i ulët në më shumë se dy dekada.
Në anën tjetër, nafta West Texas Intermediate (WTI), që përdoret si standard për Shtetet e Bashkuara, është tregtuar për 11.42 dollarë për fuçi.
Vlera e WTI-së ka rënë këtë javë edhe nën zero, për herë të parë në histori.
Deri te rënia e çmimeve ka ardhur për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Si pasojë e saj, kërkesat për naftë kanë rënë, pasi shumë vende të botës janë izoluar, duke ndërprerë një pjesë të madhe të trafikut ajror dhe rrugor.
Brent është tregtuar të mërkurën për 15.98 dollarë për fuçi, që është çmimi më i ulët qysh në qershor të vitit 1999.
Analistët parashikojnë që çmimet të vazhdojnë të bien, sepse prodhimi i naftës ka të ngjarë të tejkalojë kërkesën për muajt e ardhshëm.
Kryeministri i Pakistanit testohet për koronavirus
Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, është duke pritur rezultatet e testit për koronavirus.
Khan është testuar pasi është bërë e ditur se ka qenë në kontakt me udhëheqësin e një organizate bamirëse, i cili ka dalë poztiv me koronavirus.
Autoritetet shëndetësore i kanë marrë mostrën Khanit të martën dhe rezultatet e saj priten sot.
Pakistani ka mbi 9,000 të infektuar me koronavirus.
Afro 200 pacientë atje kanë humbur jetën.