Ekspozitat virtuale
Për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe masave të izolimit që janë ndërmarrë për të parandaluar përhapjen, Galeria Kombëtare e Kosovës ka filluar me prezantimin e ekspozitave të artit në mënyrë virtuale.
Galeria Kombëtare këtë e bën përmes faqes së saj në rrjetin social Facebook.
MSH u ofron qytetarëve të Kosovës linjën telefonike për këshilla psikologjike
Qytetarët e Kosovës prej sot do të kenë mundësi të bisedojnë me psikologun/en përmes linjës telefonike 038 200 80 890.
Kjo është bërë e mundur nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, e cila përmes një njoftimi ka bërë të ditur për lëshimin në funksion të kësaj linje.
"Kjo linjë do të jetë në shërbim të qytetarëve të cilët kanë vështirësi në këtë periudhë të pandemisë Covid-19 për të menaxhuar mendimet, ndjenjat dhe emocionet e tyre, si dhe për ata që mund të perjetojnë stres të shtuar, ankth, panik apo edhe shenja dhe simptoma të depresionit", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Një i vdekur dhe 28 të infektuar me koronavirus në Maqedoninë e V.
Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 28 raste të reja të të infektuarve me koronavirus, që konsiderohet shifër e ulët nëse merret në konsideratë numri i testeve që janë kryer - gjithsej 660.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar edhe një viktimë nga koronavirusi në Shkup.
Bëhet fjalë për një person të moshës mbi 65 vjeç, që kishte edhe probleme tjera shëndetësore.
Numri i përgjithshëm i viktimave nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut është 56.
Numri i të infektuarve ka arritur në 1,259, ndërsa mbi 200 është numri i të shëruarve.
Në gjithë Maqedoninë e Veriut janë kryer mbi 12 mijë teste.
Gjermania do të nisë testimin e vaksinës kundër koronavirusit
Gjermania i ka dhënë dritën e gjelbër testimit të parë klinik të një vaksine për koronavirusin.
Instituti Paul Ehrlich ta se rregullatori i vaksinave në Gjermani e ka miratuar testimin në njeri të vaksinës potenciale kundër koronavirusit, e cila është zhvilluar nga kompania gjermane bioteknike Biontech dhe gjiganti amerikan farmaceutik Pfizer.
Testimi do të kryhet në fazën e parë me 200 njerëz të shëndetshëm vullnetarë, të moshës 18 deri në 55 vjeç.
Në fazën e dytë, testimi do të përfshijë edhe njerëz me rrezik më të lartë nga sëmundja.
Instituti Paul Ehrlich nuk tha se kur do të nisë testimi, por Biontech paralajmëroi përmes një deklarate se do nisë “së shpejti”.
Megjithatë, shefi i Institutit Paul Ehrlich, Klaus Cichutek, tha se nuk ka gjasa që vaksina për publikun e përgjithshëm të jetë në dispozicion këtë vit.
Kompani të ndryshme janë në garë për zbulimin e vaksinës kundër koronavirusit, i cili ka prekur mbi 2.5 milionë njerëz në gjithë botën dhe ka vrarë mbi 178,000.