Raka: Epidemia mbyllet 28 ditë pas rezultatit negativ të pacientit të fundit
Mikrobiologu, Lul Raka, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se epidemia mbyllet 28 ditë pas rezultatit negativ të pacientit të fundit të vërtetuar në laborator.
"Piku është dita me numrin më të madh të rasteve. Ne e kemi pasur të dielën e kaluar me 79 raste. Uroj ta kemi kaluar. Numrat ditorë tregojnë numrin e të infektuarve nga ata që janë testuar. Por, për çdo rast aktiv (aktualisht kemi 458 raste aktive) kemi 5-10 raste tjera në komunitet, të cilët nuk janë testuar ende (2000-4000 raste)", ka shkruar Raka.
Sipas tij, epidemia në Kosovë nuk mbaron më 4 maj. Për këtë, ai merr shumbullin e disa vendeve të cilat kanë pasur një valë të dytë të epidemisë.
"Singapori, që ishte shembull i përballjes me koronavirus, këto ditë shënoi 1426 raste të reja në valën e dytë. Sëmundja u shfaq në konvikt të punëtorëve, i cili ishte i mbingarkuar dhe pa masa adekuate higjienike. Në veri të Kinës, po ashtu, kishte raste të reja", shkruan Raka.
Kosova deri më tash ka regjistruar 604 raste të të infektuarve me koronavirus; prej tyre 18 kanë vdekur, 128 janë shëruar.
Tunelet dezinfektuese
Për të frenuar përhapjen e koronavirusit, disa Qendra të Mjekësisë Familjare në Prishtinë në hyrje, kanë vendosur tunele dezinfektuese. Qytetarët i kanë mirëpritur këto veprime dhe konsiderojnë se ato do të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes se koronavirusit.
Mbretëria e Bashkuar njofton për 763 viktima të reja
Mbretëria e Bashkuar ka konfirmuar edhe 763 vdekje të reja nga koronavirusi i ri.
Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 18.100.
Këto shifra nuk përfshijnë vdekjen në komunitet, në vende të tilla si shtëpi kujdesi.
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur në 134,635.
Britanikët ‘ngujohen’ në Prizren
Çiklisti Mike Elm dhe partnerja e tij, vrapuesja Rosie Watson, kishin planifikuar të kalonin mijëra kilometra, njëri me biçikletë e tjetri duke vrapuar, për të shkuar nga Evropa në Azi. Rrugëtimi i tyre u ndërpre, pasi gjatë rrugës ata mbetën të ngujuar në Prizren, pas bllokimit të kufijve nga pandemia e koronavirusit të ri. (Përgatitën: Shkëlqim Hysenaj & Bujar Tërstena)