Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
08:22 23.4.2020

Kina vazhdon të mos regjistrojë viktima nga koronavirusi

Kina vazhdon të mbajë shifrat e njëjta të vdekjeve si pasojë e koronavirusit të ri për të gjashtën ditë me radhë, tregojnë të dhënat zyrtare.

Ky shtet ka raportuar për 10 raste të reja të të infektuarve të martën, për dallim nga 30 në ditën paraprake.

Numri i rasteve të importuara – udhëtarë që kthehen nga vendet tjera – ka rënë në gjashtë, për dallim nga 23 një ditë më parë.

Kina regjistron numrin e pacientëve pa simptoma në një tjetër listë, ndonëse numri edhe aty ka rënë në 27 nga 42 një ditë më parë.

Të dhënat e Kinës rreth këtij virusi konsiderohen të vështira për t’u verifikuar prandaj janë ngritur supozime se Pekini është duke tentuar të mbajë numrin e ulët ashtu që të tregojë se e ka virusin nën kontroll.

Për koronavirusin e ri është raportuar filimisht në Vuhan të Kinës në fund të vitit të kaluar.

Si pasojë e këtij virusi deri më tani në gjithë botën janë infektuar mbi 2.6 milionë persona derisa mbi 180,000 kanë vdekur.

23:29 22.4.2020

Konfirmohen edhe 26 raste me koronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) njoftoi se janë konfirmuar edhe 26 raste të reja me koronavirus.

"Janë testuar gjithsej 172 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore", thuhet në njoftim.

Me të dhënat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 630.

IKSHPK-ja po ashtu bëri të ditur se të mërkurën janë shëruar edhe 10 pacientë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 138.

Deri më tani në Kosovë 18 pacientë kanë humbur jetën.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

22:57 22.4.2020

Arrin në 25 mijë numri i të vdekurve në Itali

Numri i viktimave nga koronavirusi i ri në Itali e ka kaluar shifrën 25 mijë.

Italia është një nga vendet më të goditura nga pandemia e koronavirusit.

Shërbimet e mbrojtjes civile në Itali të mërkurën ka raportuar për 437 raste të vdekjeve gjatë 24 orëve të kaluara.

Sidoqoftë, numri i personave të regjistruar që aktualisht e bartin sëmundjen është 107.699, duke shënuar një rënie në krahasim me ditët e kaluara.

Numri i të vdekurve në Itali është i dyti në botë pas SHBA-së.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte tha se deri në fund të kësaj jave, Italia do të njoftojë për një plan të daljes nga izolimi .

22:37 22.4.2020

Në Kosovë 36 punonjës shëndetësor të infektuar me koronavirus

Në Kosovë 36 punonjës shëndetësor janë të infektuar më koronavirus, që nga shpërthimi i epidemisë muajin e kaluar.

Drejtori i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti ka publikuar të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, për numrin e punonjësve shëndetësorë të prekur me koronavirus.

Sipas këtyre të dhënave,16 infermierë dhe 14 mjekë në institucionet shëndetësore, 4 mjekë dhe 2 infermierë jashtë institucioneve shëndetësore, një farmacist dhe një teknik i farmacisë, janë infektuar me koronavirusin e ri.

Kosova deri më tash ka regjistruar 604 raste të të infektuarve me koronavirus; prej tyre 18 kanë vdekur, 128 janë shëruar.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG