Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
11:37 23.4.2020

BE-ja diskuton Planin e Rimëkëmbjes pas koronavirusit

Liderët evropianë do të zhvillojnë një video-samit më 23 prill, për të diskutuar përgjigjjen e përbashkët financiare ndaj recesionit ekonomik që po afrohet si pasojë e koronavirusit të ri.

Ata pritet t’i kërkojnë Komisionit Evropian, që të propozojë një Fond të Rimëkëmbjes, i cili do të shënjestrojë sektorët dhe rajonet më të prekura nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

“Unë propozoj që t’i kërkojmë Komisionit të analizojë nevojat e sakta, dhe të prezantojë një dokument që bashkon të gjitha sfidat me të cilat po përballemi”, ka thënë Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Bazuar në disa propozime, shuma e Fondit në fjalë mund të shkojë nga 1 deri në disa trilionë euro.

Megjithatë ende nuk është bërë e qartë se si do të mbushet ky Fond, në formë të kredive apo granteve.

10:58 23.4.2020

Princi Lous feston ditëlindjen me ngjyra të ylberit

Disa fotografi të publikuara nga Pallati Kensington në Mbretërinë e Bashkuar, shfaqin Princin Louis duket festuar ditëlindjen e tij të dytë.

Fotografitë e realizuara nga nëna e tij, Dukesha e Kembrixhit, Kate Middleton, shfaqin duart e princit me një përzierje ngyrash - pamje që është kthyer në simbol të shpresës gjatë izolimit me koronavirus.

Pamje të ngjashme të fëmijëve janë parë në shumë dritare në gjithë Britaninë.

10:19 23.4.2020

Merkel për koronavirusin: Sfida më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore

Kancalarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se kontrollimi i koronavirusit të ri, përbën sfidë të madhe për kohezionin e Evropës.

“Kjo është sfida më e madhe prej Luftës së Dytë Botërore, për jetën dhe shëndetin e njerëzve tanë”, ka thënë ajo para Parlamentit gjerman.

Më vonë gjatë ditës së enjte, ajo do t’iu bashkohet liderëve evropianë, përmes një video-konference, për të diskutuar krizën.

Ajo ka thënë se duke vazhduar mbajtjen e “disiplinës maksimale, ne mund të kthehemi më shpejt në një jetesë të sigurt”.

Merkel ka paralajmëruar se një disiplinë e tillë është e nevojshme për të ndalur rinisjen e izolimit.

“Ne nuk mund të humbim atë që e kemi arritur tashmë”, ka thënë ajo, teksa ka përgëzuar efikasitetin e sistemit shëndetësor të Gjermanisë dhe asistencën e forcave të armatosura në luftimin e sëmundjes, Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Ajo ka thënë se vendimet e qeverisë së saj ndaj krizës “nuk kanë model historik”.

Kancelarja gjermane ka thënë mes tjerash se Evropa duhet të rrisë kapacitetin për të prodhuar pajisje speciale mjekësore, në vend që të varet nga furnizimet globale.

Instituti gjerman, Robert Koch ka konfirmuar për 145,694 persona të prekur dhe 4,879 të vdekur si pasojë e koronavirusit të ri në Gjermani.

10:06 23.4.2020

Në QKUK po trajtohen 48 pacientë me koronavirus

Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se aktualisht aty janë duke u trajtuar 58 pacientë, prej tyre 48 janë të infektuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Nga lista e të prekurve një pacient është në gjendje kritike, i cili po trajtohet me ventilim mekanik dhe përkujdesje intensive derisa 12 pacientë tjerë po trajtohen me oksigjenoterapi.

Të tjerët është thënë se janë në gjendje stabile.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë 630 persona janë infektuar dhe 18 kanë vdekur si pasojë e koronavirusit të ri.

Nga sëmundja Covid-19, që shkakton ky virus janë shëruar 138 persona.

Me qëllim të luftimit të kësaj sëmundjeje, autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG