Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
14:02 23.4.2020

Maqedonia e Veriut regjistron edhe 41 raste të reja me koronavirus

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për 41 raste të reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ndërkohë që nuk janë regjistruar viktima, çka përbën një prej ditëve të rralla pa viktima që nga regjistrimi i viktimës së parë më 22 mars.

Nga 649 teste të kryera për koronavirus, 17 persona kanë dalë pozitivë në Shkup, 11 në Kumanovë, pesë në Prilep, tre në Tetovë ndërsa në qytetet tjera numri i të infektuarve është më i vogël.

Në testin e parë për koronavirus, negativë kanë dalë edhe zyrtarët shtetërorë që ishin futur në vetizolim, përfshirë edhe kryeministrin, Oliver Spasovski.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë ka arritur në 1,300 ndërsa i të vdekurve mbetet në shifrën 56.

Gjatë 24 orëve të fundit 29 persona janë shëruar duke e çuar në 301 numrin e përgjithshëm të tyre.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ulje ka shënuar edhe numri i personave që ndodhen në karantinë shtetërore. Të enjten karantinën e kanë lëshuar 234 persona ndërsa 800 vazhdojnë të qëndrojnë ende.

Që nga paraqitja e rastit të parë me koronavirus, në territorin maqedonas janë kryer 13,649 teste.

13:15 23.4.2020

OBSH: Gati gjysma e viktimave janë regjistruar në shtëpi kujdesi

Pothuajse gjysma e të gjithë personave që kanë vdekur nga koronavirusi në Evropë kanë qenë banorë të shtëpive të kujdesit, ka thënë drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Evropë, Hans Kluge.

Ai ka thënë në një konferencë për media të enjten se “ka të dhëna shqetësuese” për ata që jetojnë në shtëpi kujdesi.

“Sipas të dhënave të shteteve nga rajoni evropian, gati gjysma e atyre që kanë vdekur nga sëmundja Covid-19, kanë qenë banorë të shtëpive të kujdesit. Kjo është një tragjedi njerëzore e paimagjinueshme”, ka thënë mes tjerash ai.

Për koronavirusin e ri është raportuar filimisht në Vuhan të Kinës në fund të vitit të kaluar.

Si pasojë e këtij virusi deri më tani në gjithë botën janë infektuar mbi 2.6 milionë persona derisa mbi 180,000 kanë vdekur.

12:44 23.4.2020

Rreth 1.8 miliard myslimanë përgatiten për Muajin e Shenjtë të Ramazanit

Rreth 1.8 miliard myslimanë në gjithë botën janë duke u përgatitur për Muajin e Shenjtë të Ramazanit, ndonëse në kohë të koronavirusit, çka ka shtyrë autoritetet nga Maroku deri në Indonezi, që të angazhojnë forca policore për të kufizuar lëvizjet e besimtarëve.

Në gjithë botën myslimane është regjistruar numër më i vogël i të infektuarve dhe të vdekurve nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, ndonëse qasja në informacione kanë qenë e vështirë për t’u siguruar në disa vende.

Pandemia kësaj here ka ndryshuar disa tradita shekullore të myslimanëve për Ramazan, pasi xhamitë janë mbyllur dhe janë vënë ndalesa për lutje të disa personave bashkë.

Varësisht prej shtetit, fillimi i muajit hënor fillon më 23 prill apo 24, çka nënkupton se myslimanët duhet të heqin dorë nga ushqimi, pijet, konsumimi i duhanit dhe marrëdhëniet seksuale nga lindja në perëndim të diellit.

12:18 23.4.2020

Koronavirusi zvogëlon importin dhe konsumin në Kosovë

Konsumi dhe importi i produkteve në Kosovë ka shënuar rënie, pas masave emergjente që janë marrë për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit.

Sipas Doganave të Kosovës, importi i produkteve në përgjithësi ka shënuar rënie për 62 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, tha për Radion Evropa e Lirë se krahasuar me periudhën janar – 21 prill të këtij viti, me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, importi ka shënuar rënie.

“Në muajt e parë të këtij viti, kemi 850 milionë euro produkte të importuara, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka pasur 912 milionë euro, pra kemi një ulje prej 6,8 për qind më pak se vitin e kaluar”, thotë Stavileci, duke shtuar se rënia më e madhe është regjistruar në muajin prill.

Produktet që janë importuar më së shumti janë produktet ushqimore si gruri, mielli dhe produktet mjekësore.

Kosova është e varur nga importi i produkteve të huaja, qoftë nga rajoni apo nga vendet e Bashkimit Evropian, pasi industria e prodhimit vendor ende mbetet pak e zhvilluar.

Lexoni materialin e plotë duke klikuar këtu.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG