Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
08:26 24.4.2020

Kongresi amerikan miraton 484 miliardë dollarë për tejkalimin e situatës së pandemisë

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA miratoi një projektligj të ri prej 484 miliardë dollarë, për të ndihmuar në përballjen me koronavirusin.

Masa, më 20 prill është votuar edhe në Senat dhe ajo tashmë i është dërguar për nënshkrim presidentit amerikan, Donald Trump.

Presidenti ka premtuar se do të nënshkruajë projektligjin shumë shpejt.

Aty përfshihet një paketë ndihme me vlerë më shumë se 320 miliardë dollarë për bizneset e vogla dhe të mesme të goditura nga kriza e COVID-19, e ndjekur nga 75 miliardë dollarë ndihma për spitale, 25 miliardë për testimin ndaj koronavirusit dhe më shumë se 60 miliardë kredi për sektorët tjerë, veçanërisht bujqësinë.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i goditur në botë nga koronavirusi. Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins deri më tani llogaritet se janë infektuar 869,172 amerikanë. Numri i vdekjeve ka arritur në 49,963.

21:54 23.4.2020

Kosovës i shtohen edhe 39 raste me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) njoftoi se janë konfirmuar edhe 39 raste të reja me koronavirus.

"Janë testuar gjithsej 255 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore", thuhet në njoftim.

Rastet pozitive janë raste kontakti: 26 nga komuna e Pejës, 9 raste me vendbanim në Prizren, 2 raste me vendbanim në Mitrovicën e Veriut dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Kërninë-Istog dhe Zveçan.

Me të dhënat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 669.

IKSHPK-ja po ashtu bëri të ditur se të mërkurën janë shëruar edhe 21 pacientë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 159 .

Deri më tani në Kosovë 19 pacientë kanë humbur jetën.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

21:06 23.4.2020

Emiratet e Bashkuara Arabe lehtësojnë masat gjatë muajit të Ramazanit

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar se do të lehtësojnë izolimin 24-orësh për muajin e Ramazanit. Kohëzgjatja e re e izolimit do të jetë nga 10 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit. Banorët mund të dalin në pjesën tjetër të ditës.

Për tre javët e fundit, Dubai kishte vendosur një bllokim të rreptë, gjatë së cilës banorëve u kërkohej të qëndronin në shtëpi. Të dy qytetet kryesore - Dubai dhe kryeqyteti Abu Dhabi - gjithashtu po përgatisin një plan për të rihapur qendrat tregtare së shpejti.

Ata kanë lëshuar një seri udhëzimesh në prag të muajit të Ramazanit që përfshinë mbajtjen e distancës fizike për dy metra. në të gjitha fushat e përbashkëta. Vizitorëve do t'u lejohet të bëjnë blerje maksimumi për tre orë dhe do të jetë e detyrueshme vendosja e maskës.

Sidoqoftë, lutjet e kongresit në xhami ende nuk do të lejohen në të gjithë Emiratet e Bashkuara Arabe. Shërbimet e metrosë në Dubai pritet gjithashtu të fillojnë së shpejti operacionet. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë raportuar 8.756 raste me Covid-19 dhe gjithsej 56 vdekje.

20:37 23.4.2020

Udhëheqësit e BE-së pajtohen për një fond të përbashkët rimëkëmbjeje​

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për një angazhim të përbashkët në sigurimin e një fondi për të ndihmuar në rikuperimin nga pandemia e koronavirusit, megjithëse kanë mosmarrëveshje për disa pika, tha kancelarja gjermane Angela Merkel të enjten.

Pas një video-konference të liderëve të BE-së, Merkel tha se një fond i tillë ishte gjithashtu në interesin gjerman dhe Berlini do të duhej të jepte kontributet më të larta në buxhetin e ardhshëm të BE-së.

"Është e qartë për të gjithë se ne kemi nevojë për një fond të tillë rikuperimi", u tha Merkel gazetarëve.

"Unë dua të them shumë qartë se një zgjidhje e tillë e përbashkët është në interesin e Gjermanisë, sepse gjërat mund të shkojnë mirë për Gjermaninë nëse ato shkojnë mirë për Evropën", tha ajo.

Drejtuesit e Bashkimit Evropian i kërkuan Komisionit Evropian që të hartojë me urgjencë një plan për rimëkëmbjen ekonomike të bllokut pas pandemisë së koronavirusit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG