Profesori i psikologjisë flet për rëndësinë e shëndetit mendor gjatë pandemisë
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë në bashkëpunim me Departamentin e Psikologjisë të Unversitetit të Prishtinë kanë lëshuar në funksion linjën e ndihmës psikologjike për të gjithë qytetarët që kanë nevojë të konsultohen me psikologë gjatë kohës së pandemisë.
Numri i kësaj linje telefonike është: 038 200 80 890
Në një video të postuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, Aliriza Arënliu, profesor i psikologjisë në Universitetin "Hasan Prishtina", flet për rëndësinë e shëndetit mendor gjatë kohës së pandemisë.
Mali i Zi konfirmon tre raste të reja me koronavirus
Autoritetet në Mal të Zi kanë njoftuar për tre raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë vend ka arritur në 319.
Rastet e reja janë konfirmuar në Gusi, tha Instituti i Shëndetit Publik.
Aktualisht, 1,974 persona janë nën mbikëqyrjen mjekësore, ndërsa gjithsej 124 janë shëruar. Që nga fillimi i epidemisë së COVID-19, Mali i Zi ka regjistruar pesë vdekje të pacientëve me koronavirus.
Koreja e Jugut nuk raporton asnjë viktimë gjatë 24 orëve të fundit
Në Korenë e Jugut nuk është raportuar asnjë viktimë nga koronavirusi në 24 orët e fundit.
Kjo është dita e parë pa viktima përgjatë një muaji.
Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve (KCDC) gjithashtu raportoi për vetëm gjashtë raste të reja të të infektuarve.
Kjo është shifra më e ulët që nga 18 shkurti.
Vendi përdori masa agresive të gjurmimit dhe testimit për të gjetur pacientë të infektuar, izoluar dhe trajtuar ata.
Deri më tani 240 njerëz kanë vdekur, por kjo është akoma një shkallë e ulët fataliteti në krahasim me vendet e tjera.
Ministri Vitia bën thirrje të respektohet masat kundër COVID-19 gjatë muajit të Ramazanit
Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia përmes një postimi në rrjetin social Facebook, u është drejtuar besimtarëve myslimanë të cilët kanë filluar agjërimin e muajit të Ramazanit.
Ai i ka porositur ata që të ruajnë distancën fizike edhe gjatë këtij muaji, për të mos lejuar përhapjen e koronavirusit të ri.
"Këtë vit mbrëmjet e iftaret nuk do të jenë si çdo vit. Po kush më mirë se besimtarët e di vlerën e formën e sakrificës? Agjërimin këtë vit na duhet ta shoqërojmë me rregulla që na mbajnë larg fizikisht e nuk na lejojnë të mblidhemi as brenda familjeve", ka shkruar Vitia.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arrin në 669.
Të enjten janë shëruar edhe 21 pacientë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 159 . Deri më tani në Kosovë 19 pacientë kanë humbur jetën.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.