Mb 50,000 të vdekur nga koronavirusi në SHBA
Numri i viktimave nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara ka kaluar 50,000.
Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, SHBA-ja ka numrin më të madh të viktimave me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Mbi 3,000 vdekje janë regjistruar në 24 orët e fundit.
Në gjithë SHBA-në, aktualisht janë mbi 870,000 të infektuar.
Megjithatë, ky vend vazhdon të ketë normë më të ulët të vdekshmërisë, krahasuar me shumicën e vendeve evropiane.
SHBA-ja, në fakt, ka numrin më të lartë të viktimave dhe të të infektuarve nga koronavirusi.
Por, popullsia e saj numëron 330 milionë banorë – shumë më shumë se vendet e tjera të goditura keq, si Spanja dhe Italia.
“Vendi [SHBA-ja] ka një nga normat më të ulëta të vdekshmërisë në gjithë botën”, tha Deborah Birx, eksperte e task-forcës së ngritur nga SHBA-ja për trajtimin e sëmundjes COVID-19.
Për kokë banori, niveli prej 1.4% i vdekjeve të raportuara në SHBA është më i ulët se në Spanjë, Itali, Francë, Belgjikë dhe Mbretëri të Bashkuar.
Franca ndalon shitjet në internet të produkteve të nikotinës
Franca ndaloi shitjen online të prodhimeve të nikotinës dhe kufizoi shitjen e tyre në barnatore, pasi hulumtuesit sugjeruan se nikotina mund të luajë rol në mbrojtjen kundër koronavirusit.
Rregullat e reja mbulojnë produkte si çamçakezët ose fashat e nikotinës, të krijuara për të ndihmuar njerëzit që të ndalojnë pirjen e duhanit.
Javën e kaluar, të dhënat nga një spital në Paris kanë sugjeruar se duhanpirësit kanë më pak gjasa që të preken me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Studimet në Francë pritet të vazhhdojnë.
Franca, deri më tash, ka regjistruar mbi 22,000 viktima nga koronavirusi.
Autoritetet planifikojnë t’i heqin gradualisht masat e izolimit nga 11 maji.
Numri i viktimave në Mbretërinë e Bashkuar rritet për 684
Departamenti i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar tha se ka regjistruar 684 viktima nga koronavirusi, në 24 orët e fundit.
Sipas burimit të njëjtë, 5,386 persona janë konfirmuar pozitivë në testet për koronavirus, ndërsa janë testuar 18,401.
Në total, Mbretëria e Bashkuar ka afro 140,000 persona të infektuar me koronavirus, ndërsa mbi 18,700 pacientë kanë humbur jetën.
I infektuar me koronavirus ka qenë edhe kryeministri britanik, Boris Johnson.
Pas disa ditësh në spital dhe nën kujdes intensiv, ai po e vazhdon shërimin në shtëpi.
FMN, OBT paralajmërojnë kundër kufizimeve në eksporte gjatë pandemisë
Kufizimi në rritje i eksporteve, për shkak të pandemisë së koronavirusit, mund të jetë “shumë kundërproduktiv”, paralajmëruan të premten Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Organizata Botërore e Tregtisë.
Këto dy institucione iu bënë thirrje udhëheqësve globalë të përmbahen nga vendosja e kontrolleve të ashpra mbi shitjet e produkteve, ashtu siç kanë vepruar në kulmin e krizës financiare globale të vitit 2008.
"Jemi të shqetësuar me ndërprerjet e furnizimit nga kufizimi i eksporteve dhe veprimeve të tjera që kufizojnë tregtinë e produkteve mjekësore dhe ushqimore", thanë FMN-ja dhe OBT-ja përmes një deklarate të përbashkët.
Sipas tyre, ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit dhe drejtimi i gabuar i produkteve të rëndësishme mund “të zgjasin dhe përkeqësojnë krizën shëndetësore dhe ekonomike".
Dy organizatat po ashtu paralajmëruan se vendet e varfra kanë gjasa të vuajnë më shumë.
Ndërsa rregullat e tregtisë globale e lejojnë përdorimin e kufizimeve të eksportit gjatë një emergjence kombëtare, FMN-ja dhe OBT-ja paralajmëruan se "ajo që ka kuptim në një emergjencë të izoluar, mund të jetë shumë dëmtuese në një krizë globale".
"Marrë në mënyrë kolektive, kufizimet e eksportit mund të jenë shumë kundërproduktive", thuhet në deklaratë.
FMN-ja dhe OBT-ja i mirëpritën vendimet e disa vendeve për të lehtësuar tregtinë e produkteve të nevojshme për betejën kundër koronavirusit, përfshirë këtu edhe uljen e detyrimeve të importit.
Vitin e kaluar, importet globale të mallrave të nevojshme në luftën kundër koronavirusit - të tilla si maskat për fytyrë, dorezat, sapunet, veshjet mbrojtëse, maskat e oksigjenit dhe ventilatorët - kanë arritur gati në 300 miliardë dollarë.