Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
21:58 24.4.2020

Kosovës i shtohen edhe 34 raste me koronavirus

Në Kosovë u konfirmuan të premten edhe 34 raste të reja me koronavirus.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) tha se në total janë testuar 264 mostra të marra nga Klinika Infektive, nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

“Rastet pozitive janë raste kontakti”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Aty po ashtu bëhet e ditur se janë shëruar edhe tre pacientë, të cilët e çojnë në 162 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Me shifrat e fundit, numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë shkon në 703.

Nëntëmbëdhjetë pacientë kanë humbur jetën.

21:48 24.4.2020

Trump nënshkruan paketën e ndihmës prej gati 500 miliardë dollarësh

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi një paketë të ndihmës, në vlerë prej gati 500 miliardë dollarësh, për rimëkëmbjen e ekonomisë së goditur nga pandemia e koronavirusit.

Paketa është edhe një përpjekje e Qeverisë amerikane për të ndihmuar bizneset që është dashur të mbyllen, për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Gjatë pesë javëve të fundit, afro 26 milionë njerëz kanë mbetur pa punë në SHBA.

Trump falënderoi Kongresin që, siç tha, i është përgjigjur thirrjes së tij për ndihmë.

“Fitore e jashtëzakonshme”, tha Trump.

“Shumë mirë për bizneset e vogla, shumë mirë për punëtorët”, shtoi ai.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi.

Të premten, numri i viktimave atje ka kaluar 50,000, ndërsa i të infektuarve është mbi 880,000.

Në gjithë botën, mbi 2.7 milionë njerëz janë infektuar dhe mbi 194,000 kanë vdekur.

Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

21:39 24.4.2020

Krasniqi: Më shumë të shëruar, sesa të spitalizuar në QKUK

Infektologu në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi, tha se në gjashtë javët e pandemisë së koronavirusit në Kosovë, më shumë ka të shëruar, sesa të spitalizuar në Klinikë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Krasniqi tha se “sonte në Klinikë janë vetëm 47 pacientë - numri më i vogël në këto dy javët e fundit”.

Në Kosovë, 669 persona janë infektuar me koronavirus.

Numri i viktimave është 19, ndërsa i të shëruarve 159.

Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë shfaqur më 13 mars.

21:22 24.4.2020

Guvernatori i Nju Jorkut: Lakorja e të infektuarve po bie

Duke folur në konferencën e përditshme për media, guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, tha se të githa provat sugjerojnë se lakorja e të infektuarve me koronavirus në këtë shtet “është duke shkuar teposhtë”.

Cuomo tha se shteti duhet t’i heqë gradualisht masat e izolimit; përndryshe, “i gjithë përparimi që kemi bërë, do të dështojë”.

Nju Jorku ka raportuar të premten për 422 viktima nga koronavirusi.

Shifra paraqet një rënie të lehtë nga e enjtja, kur janë regjistruar 438 viktima.

Në aspektin global, Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi: mbi 50,000.

Në shtetin e Nju Jorkut kanë vdekur mbi 16,000 pacientë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG