Për shkak të koronavirusit, ekonomia greke pritet të tkurret nga 5 deri në 10 për qind
Greqia pret që ekonomia e saj, gjatë këtij viti do të tkurret nga 5 deri në 10 për qind, si rezultat i kufizimeve të vendosura, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
“Duket se (ekonomia do të tkurret) në një interval ndërmjet 5 dhe 10 për qind”, tha ministri grek i Financave, Christos Staikouras, gjatë një adresimi televiziv, duke shtuar se vlerësimet mbi ekonominë po ndryshojnë vazhdimisht.
Greqia ka shtyrë deri më 4 maj masat izoluese dhe pritet që të lehtësojë masat ngadalë pas kësaj date.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në Greqi mbi 2,400 persona janë infektuar me sëmundjen COVID-19 që shkaktohet nga koronavirusi i ri dhe 130 kanë vdekur.
Policia ndalon 44 persona që nuk i respektuan masat kundër koronavirusit
Policia e Kosovës brenda 24-orëve të fundit ka ndaluar 44 persona, të cilët nuk i kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se në 26 raste janë hasur 44 persona që dyshohen për veprën: “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.
Kosova aktualisht ka konfirmuar 703 raste të të infektuarve me koronavirus, 19 pacientë kanë vdekur, ndërsa 162 janë shëruar.
Në SHBA nis rihapja e disa bizneseve
Tri shtete të SHBA-së kanë lejuar rihapjen e disa dyqaneve, teksa në vend ende janë në fuqi masat kufizuese, që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.
Disa parukeri dhe qendra relaksuese janë rihapur në Xhorxhia dhe Oklahoma, ndërkaq në Alaskë janë hequr kufizimet për restorantet.
Në tri shtetet ku kanë nisur që të hiqen masat kufizuese, autoritetet kanë thënë se qytetarët duhet të vazhdojnë të mbajnë distancë fizike. Ndërkaq, disa qytete në këto tri shtete kanë vendosur që të vazhdojnë të mbajnë në fuqi masat kufizuese.
Si pasojë e vendosjes së masave për frenimin e përhapjes së koronavirusit, ekonomia amerikane ka pësuar goditje. Papunësia në SHBA tashmë ka arritur në 15 për qind, apo 26 milionë amerikanë kanë mbetur të papunë dhe shumë shtete po ndihen nën presion që të rihapin ekonominë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri më tani kanë numrin më të lartë në botë të personave që kanë vdekur nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri. Numri i të infektuarve ka arritur në mbi 890 mijë, ndërkaq, nga koronavirusi kanë humbur jetën 51 mijë amerikanë.
Infografikë: