Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
14:28 25.4.2020

UNDP i dhuron Kosovës 3,000 teste për koronavirus

Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) i ka dhuruar departamentit të mikrobiologjisë molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë 3,000 komplete testimi për zbulimin e koronavirusit.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.

“Që nga shpërthimi i pandemisë me koronavirus, UNDP është duke punuar me autoritetet për të mbështetur përpjekjet në luftën kundër pandemisë duke siguruar që të gjithë njerëzit në Kosovë, përfshirë stafin që vepron në vijën e parë, grupet e rrezikuara dhe të margjinalizuara, viktimat e dhunës në familje dhe pakicat”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetësisë Publike në Kosovë nga data 8 shkurt deri më 24 prill 2020 janë testuar gjithsej 5.890 mostra të dyshimta me koronavirusin e ri dhe prej tyre 703 raste janë konfirmuara pozitivë, 19 pacientë kanë vdekur, ndërsa 162 janë shëruar.

14:09 25.4.2020

Ish-kancelari kërkon që Britania të rihapë ekonominë

Ish-kancelari britanik, Philip Hammond i ka bërë thirrje Qeverisë së Britanisë që të letësojë masat izoluese.

“E vërteta është se ne duhet të nisim të rihapim ekonominë. Por, këtë duhet ta bëjmë në kohën kur jetojmë me COVID-19”, tha ai për BBC.

“Ne nuk mund të presim derisa të zhvillohet vaksina, të prodhohet në sasi të mjaftueshme dhe të shpërndahet për gjithë popullatën. Ekonomia nuk do të mbijetojë për aq gjatë”, ka shtuar ai.

Hammond ka shtuar se masat për të mbrojtur popullatën nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri, duhet të jenë në fuqi kurdo që të rihapet ekonomia.

Sipas të dhënave të publikuara nga Universiteti Johns Hopkins, në Britanii mbi 144 mijë persona janë infektuar me koronavirus dhe mbi 19 mijë persona kanë humbur jetën.

Philip Hammond, foto nga arkivi.
Philip Hammond, foto nga arkivi.

13:38 25.4.2020

Belgjika prezanton planin për daljen nga izolimi

Kryeministrja e Belgjikës, Sophie Wilmes ka prezantuar planin për heqjen graduale të masave kufizuese kundër koronavirusit të ri.

Sipas rregullave të reja, të gjitha dyqanet do të lejohen të rihapen nga 11 maji, ndërkaq një javë më pas do të rihapen edhe shkollat – megjithëse numri i nxënësve nëpër klasa do të kufizohet.

Sipas planit të prezantuar nga Qeveria belge, më 4 maj do të rihapet dyqanet e rrobave, me qëllim që njerëzit të mund të respektojnë rregullat e reja, që kërkojnë që të gjithë belgët nga mosha 12-vjeçare, duhet të vendosin maska. Dyqanet tjera do të rihapen një javë më vonë.

Shkollat do të rihapen më 18 maj dhe në një klasë nuk do të lejohen më shumë se dhjetë nxënës. Kafet dhe restorantet pritet që të rihapen më 8 qershor.

Në Belgjikë, mbi 44 mijë persona janë të infektuar me koronavirus. Deri më tani, në këtë shtet janë regjistruar pothuajse 6,700 viktima.

Bruksel, Belgjikë.
Bruksel, Belgjikë.

13:09 25.4.2020

Shqipëria shënon 34 raste të reja me COVID-19

Në Shqipëri brenda 24-orëve të fundit janë shënuar 34 raste të reja të prekur me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të prekurve në e të 712.

Me gjithë përpjekjet për të luftuar virusin, vendi me këtë shifër të re shënon numrin më të madh të të prekurve brenda një dite.

Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se deri tani janë 403 persona të shëruar dhe ka shtuar se po vijon qëndrueshëm numri i të shëruarve në spital.

“Gjatë 24-orëve të fundit janë testuar 247 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 34 raste pozitive me COVID-19. Edhe pse ka një numër të lartë të rasteve sot, pjesa më e madhe janë asimptomatikë, pra pa shenja të sëmundjes dhe kryesisht janë kontakte të rasteve pozitive të mëparshme”, tha Qirjako.

Deri në këto momente në Shqipëri janë testuar 7,015 raste të dyshuara. Gjatë 24-orëve të fundit, nënt[ pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 403.

“Aktualisht në vendin tonë 282 janë persona aktivë me COVID-19 dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme”, tha Qirjako.

Ajo shtoi se në shërbimin infektiv aktualisht janë 32 të shtruar, katër pacientë janë në terapi intensive, nga të cilët një është i intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë tetë pacientë të shtruar, katër pacientë janë në terapi intensive nga të cilët dy janë të intubuar.

Pra, në dy spitalet që merren enkas me pacientët me COVID-19 aktualisht po marrin shërbim 40 pacientë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet në Mat dhe zgjerohet në Krujë, Tiranë, Kukës, Kurbin, Berat, Fier, dhe Lushnjë.

Zonja Qirjako nënvizoi se distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale mbeten të vetmet armë që komuniteti ka në dorë për të frenuar përhapjen e infeksionit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG