Në Klinikën Infektive po trajtohen 51 pacientë me COVID-19
Në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të shtrirë 51 persona të infektuar me COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi.
Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se shumica e pacientëve janë në gjendje stabile.
Sipas Krasniqit, dy pacientë me koronavirus janë në gjendje të rëndë.
“Për momentin në Klinikën Infektive kemi 51 pacientë me COVID-19, gjendja shëndetësore e 44 prej tyre është e mirë, stabile, ndërsa shtatë pacientë janë edhe me oksigjenoterapi, nga këta dy prej tyre janë në gjendje me të rënduar”, tha Krasniqi.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik në Kosovë nga data 8 shkurt deri më 24 prill 2020 janë testuar gjithsej 5.890 mostra të dyshimta me koronavirusin e ri dhe prej tyre 703 raste janë konfirmuara pozitivë, 19 pacientë kanë vdekur, ndërsa 162 janë shëruar.
OBSH: S’ka të dhënat që të shëruarit nuk mund të infektohen sërish
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha sot se aktualisht “nuk ka të dhëna” që njerëzit që janë shëruar nga sëmundja COVID-19 dhe kanë antitrupa, nuk mund të infektohen sërish.
OBSH-ja po ashtu paralajmëroi kundër “pasaportave të imunitetit” ose “certifikatave” që dëshmojnë se njerëzit e shëruar nuk paraqesin rrezik për të infektuar të tjerët me COVID-19, duke thënë se praktika të tilla në fakt mund të bëjnë që virusi të përhapet më shumë.
Shteti i Kilit javën e kaluar nisi të shpërndajë “pasaporta të shëndetit” për njerëzit që ishin shëruar nga koronavirusi. Në këtë shtet, kushdo që është shëruar nga koronavirusi, mund të rikthehet në punë.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë infektuar mbi 2,8 milionë njerëz nga koronavirusi i ri dhe mbi 190 mijë kanë vdekur.
Muaji i Ramazanit në kohën e pandemisë
Qindra milionë myslimanë në mbarë botën kanë nisur agjërimin në Muajin e Ramazanit, nën izolim dhe masa të tjera kufizuese që janë vendosur me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
Rukiqi: Të fillohet me rihapjen e disa veprimtarive ekonomike
Komuniteti i biznesit në Kosovë kërkon që të fillohet me rihapjen e disa veprimtarive ekonomike, derisa ende janë në fuqi masat emergjente për parandalimin e përhapjes së koronavursit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi gjatë një konference për media tha se duhet të fillohet me rihapjen e disa veprimtarive ekonomike nga java e ardhshme.
Si një nga vendimet e para që duhet marrë, sipas Rukiqit, është që Prishtina të largohet nga karantina, e cila që nga 11 prilli është shpallur si zonë karantinë duke ndaluar hyrjet dhe daljet në këtë komunë.
Ndërkaq, në nivel të Kosovës, shton Rukiqi, duke filluar nga java tjetër duhet të lejohet puna në sektorët që kanë rrezikshmëri të ulët dhe ku situata mund të menaxhohet mirë, përfshirë distancën fizike dhe masat tjera.
Sipas komuniteti të biznesit në Kosovë sektori i ndërtimtarisë dhe komplet sektori i prodhimit, aty ku nuk ishin lejuar të punohet, mund të rihapen.
“Gjatë muajit maj duhet të mundësohet të fillohet puna në tërë zinxhirin e shitjes me pakicë. Propozimi ynë është që kjo të lejohet në objektet deri në 800 metra katrorë dhe kjo të jetë nga java e parë e majit. Pastaj, nga java e tretë e muajit maj të mundësohet fillimi i punës në tërë sektorin e shërbimeve dhe në të njëjtën kohë të hartohet një plan operacional për hapjen graduale të sektorit të hoteleve, restoranteve dhe kafiterive si dhe transportit të udhëtarëve”, u shpreh Rukiqi.
Qeveria e Kosovës që nga rasti i parë i shënuar me 13 mars me koronavirus në vend ka marrë masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit duke bërë kufizime të aktiviteteve ekonomike.
Ekonomia e Kosovës konsiderohet të ketë pasur dëme të mëdha nga ndërprerja e detyruar e aktivitetit ekonomik.
Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore të Kosovë si pasojë e masave emergjente për parandalimin e koronavirusit do të ketë një ulje të rritjes ekonomike nga -2 deri në -4 për qind.
Ndërkaq, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas pandemisë, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 5 për qind.