Mbi 20,000 të vdekur me koronavirus në Mbretërinë e Bashkuar
Mbretëria e Bashkuar është kthyer në vendin e pestë në botë që ka regjistruar më shumë se 20,000 viktima në spitale, si pasojë e koronavirusit të ri.
Të dhënat e fundit kanë treguar për një total prej 20,319 vdekjeve në këtë vend, një rritje prej 813 të numrit të viktimave në krahasim me një ditë më parë.
Drejtori mjekësor i Sistemit Kombëtar të Shëndetësisë, Stephen Powis, ka thënë muajin e kaluar se numri total i të vdekurve nën shifrën 20,000 do të përbënte rezultat të mirë.
Mbretëria e Bashkuar ka raportuar për këto të dhëna 51 ditë pas regjistrimit të vdekjes së parë nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.
Wizz Air planifikon rikthimin e disa fluturimeve më 1 maj
Kompania e fluturimeve Wizz Air do të rikthejë fluturimet nga Vjena duke nisur nga fillimi i muajit të ardhshëm, ka thënë shefi ekzekutiv i kompanisë, Josef Varadi për mediat lokale.
Ai ka njoftuar edhe për rikthim të fluturimeve që janë realizuar nga Aeroporti Luton i Londrës.
Ky rikthim e bën këtë kompani ndër të parat në Evropë që ka njoftuar për planet e shtimit të fluturimeve në kohë të koronavirusit.
Pandemia me këtë virus ka goditur rëndë fluturimet ndërkombëtare, duke rrezikuar mbijetesën e shumë kompanive.
Varadi ka thënë se shpreson që kompania që drejton të rikthejë fluturimet rreth 30 për qind të kapacitetit që ka, duke rritur pas dy apo tre muajve numrin e fluturimeve për 75 deri në 80 për qind.
Megjithatë, ai ka përmendur se kjo gjë varet nga koordinimi që arrihet me shtetet evropiane, varësisht prej masave që aplikojnë kundër koronavirusit.
Evropa është “rrëmujë e vërtetë” në këtë moment, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo linjë ajrore do të prezantojë masa “shtesë” për ruajtjen e shëndetit, duke përfshirë mbajtjen e distancës fizike, vendosjen e masave dhe dorezave nga ana e stafit dhe dezinfektimin e aeroplanëve gjatë natës.
Në Indi rihapen dyqanet e vogla
India ka lejuar disa dyqane të vogla që të rihapen pas më shumë se një muaji, prej kur ky shtet është izoluar si pasojë e përhapjes së koronavirusit të ri.
Ministria e Brendshme ka thënë se vetëm gjysma e stafit mund të punojë me maska, duke zbatuar distancën fizike.
Megjithatë, qendrat tregtare do të vazhdojnë të mbesin të mbyllura ashtu sikurse bizneset ku ka mundësi të përhapet lehtë sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Ky veprim është pjesë e tentimeve të Nju Delhit për të rihapur gradualisht ekonominë.
India deri më tani ka regjistruar gati 25,000 raste të prekura me këtë virus, ndërkohë që 780 kanë vdekur nga po ai.
Distancimi fizik “i tremb” bizneset
Ruajtja e distancës fizike mbi një metër, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, pritet të mbetet në fuqi për një kohë më të gjatë, sesa masat e tjera.
Shumë vende në botë kanë nisur ose janë duke planifikuar lehtësimin e izolimit, duke hapur dyqane të vogla, kopshte fëmijësh apo kompani ndërtimi, por kërkojnë që distancimi fizik mes njerëzve të vazhdojë të respektohet.
Zbatimi i kësaj mase që rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është më i vështirë në kompanitë ku numri i punëtorëve është me dhjetëra ose qindra.
*Artikullin e plotë e gjeni KËTU.