Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
18:10 25.4.2020

OBSH: Mos lëshoni “pasaporta për imunitet” kundër koronavirusit

Qeveritë nuk duhet të lëshojnë të ashtuquajturat “pasaporta për imunitet” apo “certifikata të mospasjes së rrezikut”, si mënyra për të lehtësuar masat e izolimit, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ajo po ashtu ka thënë se “nuk ka të dhëna” se njerëzit që kanë zhvilluar antitrupa pas shërimit nga virusi, janë të mbrojtur kundër infektimit të dytë.

Sipas Organizatës, një veprim i tillë në fakt mund të rrisë përhapjen e virusit, pasi njerëzit që besojnë se kanë krijuar imunitet, mund të mos kenë kujdes të shtuar.

Shumë qeveri në botë janë duke shqyrtuar mundësinë e lejimit të njerëzve që janë shëruar nga ky virus, për të realizuar udhëtime apo edhe për t’u kthyer në punë.

Ndalesat e vëna deri më tani në lëvzije, me qëllim të ndaljes së valës së virusit, kanë dëmtuar ekonomitë në gjithë botën.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, deri më tani në botë janë regjistruar 2.8 milionë raste të prekura me sëmundjen Covid-19, ndërkohë që afro 200,000 pacientë kanë vdekur nga po ajo.

17:42 25.4.2020

Si e ka infektuar Agroni “gjithë ndërtesën” me Covid-19?

Procesi i infektimit është shumë i lehtë. Gjithçka fillon me një teshtimë.

Si e ka infektuar Agroni “gjithë ndërtesën” me Covid-19?

Si e ka infektuar Agroni “gjithë ndërtesën” me Covid-19?
Si e ka infektuar Agroni “gjithë ndërtesën” me Covid-19?

17:14 25.4.2020

Raka tregon kriteret që duhet ndjekur për lehtësimin e masave

Mikrobiologu, Lul Raka, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka theksuar disa kritere që duhet ndjekur për të vlerësuar nëse ka ardhur koha për të filluar lehtësimin e masave në raste të pandemive.

Kriteret epidemiologjike, që tregojnë se përhapja e sëmundjes është zvogëluar dhe stabilizuar për një periudhë të qëndrueshme kohore, shkruan Raka, mund të jenë ulja e vazhdueshme e numrit të infeksioneve të reja, pranimit të pacientëve në spital dhe pacientëve në kujdesin intensiv.

Kapaciteti i duhur për monitorim, përfshirë kapacitetin e testimit në shkallë të gjerë për të zbuluar dhe monitoruar përhapjen e virusit, po ashtu thotë Raka, është një nga kriteret, që duhet vlerësuar para se të ndërmerren veprime për lehtësimin e masave kundër koronavirusit.

“Lehtësimi i masave do të jetë gradual dhe të bëhet në etapa të ndryshme, duke lënë kohë të mjaftueshme ndërmjet etapave. Masat e përgjithshme duhet të zëvendësohen në mënyrë progresive me masat e shënjestruara. Grupet më të rrezikuara të popullatës duhet të mbrohen në periudhë më të gjatë kohore. Të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike janë më të rrezikuarit”, thotë veç tjerash mikrobiologu Raka.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetësisë Publike në Kosovë nga data 8 shkurt deri më 24 prill 2020 janë testuar gjithsej 5,890 mostra të dyshimta me koronavirusin e ri dhe prej tyre 703 raste janë konfirmuara pozitivë, 19 pacientë kanë vdekur, ndërsa 162 janë shëruar.

16:51 25.4.2020

Edhe dy të vdekur nga koronavirusi në Maqedoni të Veriut

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar edhe për dy të vdekur nga koronavirusi. Viktimat janë njëri nga Shkupi i moshës 25-vjeçare, i sëmurë me sindromën Down dhe një tjetër i moshës 36-vjeçare nga Gostivari, që vuante nga mbipesha.

Numri i të vdekurve nga koronavirusi ka arritur në 59, shumica nga Shkupi, Kumanova dhe Struga.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar edhe për 41 persona të infektuar me koronavirus nga 728 teste të kryera në 24-orët e fundit. Numri më i madh i të infektuarve, gjithsej 17, është regjistruar në Shkup, që mbetet edhe qyteti me numrin më të madh të të sëmurëve me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 1,367 persona ndërsa prej tyre 374 persona janë shëruar.

Që nga paraqitja e virusit, në Maqedoninë e Veriut janë kryer 14,758 teste.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat për kufizimin e lëvizjeve, ruajtjen e distancës dhe mbajtjen e maskave në vendet publike, si mundësi e vetme për mbrojtje nga përhapja e virusit.

Ora policore të dielën ka nisur në orën 15:00 dhe do të zgjasë deri të hënën në orën 05:00.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG