A paraqet rrezik për shëndetin agjërimi gjatë pandemisë?
Gjatë muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë nuk hanë dhe nuk pinë nga lindja e Diellit deri në perëndim të tij.
Familjet dhe miqtë shpesh mblidhen bashkë për të prishur agjërimin.
Shumë prej 1.8 miliard myslimanëve të botës i frekuentojnë edhe xhamitë më shpesh.
Por, kriza me koronavirus këtë vit ka ndryshuar gjithçka.
Sëmundja, që ka infektuar mbi 2.8 milionë njerëz dhe ka vrarë mbi 200,000 deri më 25 prill, ka rritur frikën se agjërimi mund të paraqesë rrezik shëndetësor, duke dobësuar imunitetin e njerëzve dhe duke i bërë ata më të cenueshëm ndaj marrjes së virusit.
Mbledhjet e shpeshta të familjarëve dhe miqve gjatë Ramazanit kanë ngjallur po ashtu shqetësime për më shumë të infektuar.
Atëherë, a është agjërimi i këshillueshëm gjatë pandemisë?
Artikullin e plotë e gjeni këtu.
Kina thotë se të gjithë pacientët me COVID-19 në Vuhan janë liruar nga spitali
Në qytetin kinez të Vuhanit, ku u shfaqën për herë të parë rastet me koronavirusin e ri, sipas autoriteteve, të gjithë personat që u prekën nga virusi, janë liruar nga spitali.
“Sipas informacioneve të fundit, numri i rasteve të reja me koronavirus në Vuhan është zero, falë përpjekjeve të stafit mjekësor në Vuhan”, tha zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Shëndetit, Mi Feng, gjatë një konference për media.
Qyteti i Vuhanit kishte raportuar për 46,452 raste me koronavirus, apo 56 për qind të rasteve në nivel vendi. Ky qytet, po ashtu ka raportuar për 3,869 viktima nga COVID-19.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Universiteti Johns Hopkins, 2,8 milionë persona në mbarë botën janë infektuar me sëmundjen COVID-19 dhe mbi 200 mijë njerëz kanë vdekur.
Ndalohen 28 persona që nuk respektuan masat kundër COVID-19
Policia e Kosovës brenda 24-orëve të fundit ka ndaluar 28 persona, të cilët nuk i kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se në 17 raste janë hasur 28 persona që dyshohen për veprën: “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.
Numri më i madh i rasteve që nuk i respektuan masat kundër koronavirusit janë paraqitur në Komunën e Prizrenit, pasuar nga Prishtina.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.
Mosrespektimi i këtyre masave konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet prej 1 mijë deri në 2 mijë euro gjobë për personat fizik dhe 3 mijë deri 8 mijë euro për personat juridikë, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet deri nga 500 deri 1500 euro.
Kosova aktualisht ka konfirmuar 731 raste me koronavirus, 20 pacientë kanë vdekur, ndërsa 165 janë shëruar.
Maas: Mos të bëjmë garë për rinisjen e turizmit
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas ka paralajmëruar kundër garës për të rihapur destinacionet turistike sa më shpejt, duke thënë se Evropa duhet të pajtohet për një rrugë të përbashkët drejt daljes nga izolimi.
“Një garë evropiane se kush do të lejojë i pari udhëtimet turistike do të çonte në rreziqe të papranueshme”, tha Maas për të përditshmen gjermane, Bild am Sonntag.
Maas ju referua të infektuarve me koronavirus në një qendër skijimi në Austri, ku në mesin e të infektuarve me sëmundjen COVID-19, besohet se janë edhe turistë gjermanë.
“Ne tashmë e kemi parë se çfarë ndodh kur infeksioni shpërndahet në destinacione turistike dhe kur ata turistë kthehen në shtetet e tyre amë. Kjo nuk duhet të përsëritet”, tha ai.
Maas tha se Evropa duhet të pajtohet për disa kritere të përbashkëta për heqjen e masave kufizuese dhe rikthimin e lirisë së udhëtimit “sa më shpejt që të jetë e mundur”, por kjo gjë sipas tij duhet të bëhet në mënyrë të përgjegjshme.