Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
13:04 26.4.2020

Vdes edhe një person nga koronavirusi në Kosovë

Gjatë ditës së sotme, edhe një pacient i prekur me koronavirus në Kosovë ka ndërruar jetë.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi, Arben Vishaj, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Viktima është një 44-vjeçar nga Komuna e Gjilanit.

“Sot në ora 11:30,për fakt të keq një person ka vdekur nga koronavirusi. Pacienti që ka humbur betejën me COVID-19, ka pasur sëmundje shoqëruese paraprakisht. Ky është pacienti i 21 i cili ka vdekur nga koronavirusi”, tha Vishaj.

Vdekjen e pacientit nga Gjilani e ka konfirmuar edhe Ministria e Shëndetësisë.

Në një komunikatë për media thuhet se pacienti ishte hospitalizuar në Klinikën Infektive më datën 17 mars dhe ishte pranuar në gjendje të rëndë shëndetësore. I njëjti, bëhet e ditur, se prej vitesh vuante edhe nga sëmundje të tjera.

Infektologu Vishaj, ndërkaq, ka bërë të ditur se aktualisht në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 60 pacientë me koronavirus, pesë prej tyre janë me oksigjenoterapi dhe një pacient është i intubuar.

Në mesin e personave të hospitalizuar, tregon Vishaj, janë edhe tre fëmijë, njëri prej tyre 8-muajsh dhe dy të tjerët janë 1 vjeç deri 1 vjeç e gjysmë.

Në Klinikën Infektive po ashtu janë duke u trajtuar edhe dy gra shtatzëna, gjendja e së cilave, sipas Vishajt, është e mirë.

Kosova aktualisht ka konfirmuar 731 raste me koronavirus, ndërsa 165 janë shëruar.

12:23 26.4.2020

E nesërmja e panjohur për bizneset e vogla

Hapësira prej 100 metrash katrorë, e kafiterisë “Babel Café” në qendër të Prishtinës, ka mbetur bosh që nga 13 marsi i këtij viti, kur edhe nisën së zbatuari masat emergjente për parandalimin e koronavirusit të ri.

E qeshura e përditshme e mysafirëve, zhurma e aparatit për bërjen e kafesë, tash janë zëvendësuar me një heshtje ankthi mbi të ardhmen e këtij biznesi, por edhe mijëra të tjerëve në mbarë vendin.

Shpat Hasani, pronar i kafiterisë “Babel Café” thotë se pa qarkullim ditor, paratë e gatshme nuk kryejnë punë, aq më tepër kur objekti në fjalë është me qira.

Artikullin e plotë e gjeni këtu.

Babel Cafe është mbyllur që nga 13 marsi.
Babel Cafe është mbyllur që nga 13 marsi.

12:02 26.4.2020

Arabia Saudite lehtëson masat kufizuese

Arabia Saudite ka lehtësuar disa masa kufizuese sot. Ora policore prej 24-orësh është hequr dhe njerëzit do të lejohen që të lëvizin nga ora 09:00 deri në orën 17:00 sipas kohës lokale.

Prej 22 prillit, disa dyqane u lejuan që të rihapen dhe disa fabrika rinisën punën.

Lehtësimi i masave do të jetë gjatë dy javëve të para të Muajit të Ramazanit, por këto masa nuk vlejnë për vendet ku njerëzit e kanë të pamundur të mbajnë distancë fizike si palestrat apo restorantet.

Qyteti i Mekës dhe qyteti i Medinës do të vazhdojnë të mbeten në izolim.

Në Arabinë Saudite, deri më tani janë regjistruar mbi 16 mijë raste me koronavirus dhe 136 viktima.

Xhamia në qytetin e Mekës.
Xhamia në qytetin e Mekës.

11:28 26.4.2020

Izraeli lejon rihapjen e disa bizneseve

Izraeli ka lejuar rihapjen e disa bizneseve sot dhe autoritetet thanë se po e shqyrtojnë mundësinë që të rihapin edhe shkollat.

Dyqanet që kanë qasje në rrugë janë lejuar të hapen, por qendrat tregtare dhe tregjet do të vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Sipas kufizimeve të reja, restorantet do të lejohen të shërbejnë ushqime që konsumatorët i marrin me vete si dhe ushqimet që janë me porosi.

Megjithatë, zyrtarët thanë se këto masa mund të tërhiqen nëse numri i të infektuarve me koronavirusin e ri rritet.

Izraeli deri më tani ka 15,398 raste me sëmundjen COVID-19 dhe 199 njerëz kanë vdekur.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG