Italia lejon hapjen e disa bizneseve gjatë kësaj jave
Italia, vendi i parë evropian që u godit rëndë nga koronavirusi, do të lejojë që disa biznese të rihapen këtë javë, tha kryeministri Giuseppe Conte.
Conte tha se në këtë fazë do të rinisin punën disa biznese prodhuese, megjithëse bizneset e frekuentuara nga qytetarët, sikurse janë baret dhe restorantet, do të mbesin të mbyllura edhe për pak kohë. Shkollat do të mbeten të mbyllura deri në shtator.
"Ne po punojmë për të lejuar rihapjen e një pjese të mirë të bizneseve të prodhimit më 4 maj", tha Conte për të përditshmen italiane La Repubblica.
Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins në Itali janë të infektuar 195,351 persona, ndërkaq 26,384 kanë vdekur.
Serbia regjistron pesë vdekje dhe 263 raste të reja me COVID-19
Gjatë 24 orëve të kaluara në Serbi janë konfirmuar 263 raste të reja të të infektuarve me koronavirus, ndërsa pesë persona kanë vdekur.
Kështu u bë e ditur, gjatë një konference për media të Shtabit të Krizës, që është formuar nga Qeveria e Serbisë.
Gjatë kësaj periudhe janë testuan gjithsej 4,365 mostra të pacientëve, tha anëtari i Shtabit të Krizës, Predrag Kon.
Që nga fillimi i epidemisë në Serbi janë infektuar 8,042 persona ndërsa 156 kanë vdekur.
Nga sëmundja janë shëruar 1.182 persona.
Epidemiologu Kon tha se qytetarët do të duhet të mësohen të jetojnë me koronavirusin, por që rreziku do të minimizohet.
"Ne duhet të jetojmë dhe të punojmë dhe të sigurojmë një jetë normale, me praninë e këtij virusi", tha ai.
Publikohet orari i ri i lëvizjes së qytetarëve në Kosovë
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për orarin e ri të lëvizjes së qytetarëve të Kosovës në periudhën 27-30 prill 2020.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.
Vazhdon të bie numri i viktimave në Spanjë
Spanja ka raportuar 288 vdekje nga koronavirusi i ri. Ky është numri më i ulët i vdekjeve që nga 20 marsi.
Një ditë më parë ishin raportuar 378 viktima.
Ministria e Shëndetësisë tha se numri i përgjithshëm i viktimave tani është 23.190.
"Megjithëse mund të jetë e vështirë të jepen këto statistika, është një shifër që tregon një drejtim të qartë, pozitiv në evolucionin e epidemisë", tha zyrtari i lartë shëndetësor në Spanjë, Fernando Simon.
Të dielën, Spanja lejoi fëmijët nën moshën 14 vjeç të dalin nga shtëpitë e tyre për herë të parë në gjashtë javë.
Rregullat e bllokimit i kishin ndaluar ata të dilnin nga shtëpia. Ata tani lejohen të qëndrojnë në ambiente të hapura për një orë në ditë.